Hetimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion nxjerr në pah parregullsitë në koncesionin e sterilizimit, për të cilin sot është nën hetim ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Sipas Prokurorisë, shpenzimet që janë dhënë për spitale të ndryshme në të gjithë vendin për sterilizimin nuk përkojnë me numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Nuk është bërë asnjë studim për elementët përbërës të këtij shërbimi. Spitalet nuk kanë paraqitur koston specifike për sterilizimin. Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë kostosh kanë këto spitale, që kanë dalë në shifra kaq të ndryshme për të njëjtën shërbim.
Për shembull, “QSUT ka një shpenzim prej 185.584.418 lekë për 22545 ndërhyrje, mesatarisht me rreth 8230 lekë për ndërhyrje. Spitali Durrës ka shpenzim prej 20.462.694 lekë për 3863 ndërhyrje, mesatarisht me rreth 5297 lekë për ndërhyrje. Spitali Elbasan ka shpenzim prej 6103185 lekë për 2916 ndërhyrje, mesatarisht me rreth 2093 lekë për ndërhyrje”.
Duke hetuar Studimin e Fizibilitetit, prokuroria thotë se nuk ka të shpjeguar se cilat prej këtyre zërave të shpenzimeve të përllogaritur, janë të përfshira në shërbimin që do të trajtohet nga projekti i Koncesionit PPP, për të cilin është bërë ky studim fizibiliteti.
Disnivel në llogaritjen e kostove, SPAK ka gjetur edhe për shpenzimet për administrimin e mbetjeve me rrezik biologjik në të gjitha spitalet e vendit.
Kostoja për QSUT-në është 1 521 000 lekë. Vërehet se ka një disnivel në lidhje me sasinë e prodhuar të mbetjeve që prodhohen në disa nga spitalet e vendit, thuhet në dosje.
“Në QSUT për vitin 2013 ku thuhet se janë kryer 22 545 ndërhyrje kirurgjikale janë prodhuar 5000 kg mbetje. Në spitalin Elbasan ku janë kryer 2916 ndërhyrje kirurgjikale janë prodhuar 20 000 kg mbetje. Në spitalin Fier ku janë kryer 3086 ndërhyrje kirurgjikale janë prodhuar 15 000 kg mbetje, ndërsa në spitalin Durrës ku janë kryer 3863 ndërhyje kirurgjikale janë prodhuar 18 130 kg mbetje”.
Sipas SPAK, ka një mospërputhje dhe ndryshim të shifrave mbi sasinë e mbetjeve të prodhuar për të njëjtat spitale si QSUT, Elbasan, Gjirokastër dhe spitale të tjera.
Sipas hetimeve, në Studimin e Fizibilitetit nuk është bërë asnjë analizë e klasifikimit të ndërhyrjeve kirurgjikale, pra një analizë sasiore se si është bërë ndarja në tre kompeksitete të numrit total prej 50.000 nderhyrjesh. Të dhënat nuk janë marrë as për nxjerrjen e sasisë dhe kostove për dy shërbimet e tjera të përfshira “Instrumenta sterile” dhe “Sterilizim-0oC”.
Nuk ka të argumentuar asnjë të dhënë se cilat janë kriteret për klasifikimin e kategorive të intensitetit të ndërhyrjeve. Nuk ka asnjë të dhënë për elementët përbërës të kostove për secilin nga intensitetet e ndërhyrjeve, duke qenë se kanë diferenca të dukshme në çmimet e tyre. Nga të dhënat, tregohet se sasia totale e dezinfektimit të sallave në vit është 28.800. Kjo shifër nuk arsyetohet se ku është gjendur dhe se si është administruar nga komisioni.
Nuk argumentohet se si mund të jetë numri total i dezinfektimeve të sallave në një vit 28.800, kur sipas projeksionit është përllogaritur një shifër prej 50.000 ndërhyrje në vit dhe duhet të bëhen të paktën 50.000 dezinfektime të sallave, bazuar në Studimit të Fizibilitetit.
Ndërkohë, GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.