Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mobilizuar dje militantët në një protestë para SPAK, duke përdorur mesazhin e tij për të sulmuar institucionin dhe kreun e tij, Altin Dumani. I izoluar në qeli, Meta dërgoi mesazhin përmes një letre që u lexua nga sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.
Në mesazhin e tij, Meta e quajti SPAK një “instrument kamikaz” të përdorur nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për të mbrojtur regjimin e tij. Ai e akuzoi SPAK për veprime antikushtetuese, të paligjshme dhe arbitrare, duke theksuar se ky organ është shndërruar në një mjet të shërbimit të “Narkoregjimit” të Ramës për të siguruar një tjetër mandat katërvjeçar.
Meta rikujtoi disa raste, ku sipas tij, SPAK ka dështuar të hetojë krime të rëndësishme dhe ka manipuluar hetimet, duke përmendur si shembuj “Dosjen e Dibrës”, krimet elektorale të “Rilindjes” dhe skandalin e patronazhit të votave në zgjedhjet e 2021-shit. Ai theksoi se SPAK, në vend që të hetonte qeverinë për këto krime, ka hetuar gazetarët që i denoncuan ato.
“Jemi këtu se SPAK me veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme, arbitrare po i shërben verbërisht Narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dhe antidemokratike një tjetër mandat 4-vjeçar. Ishte ky SPAK që “Dosjen e Dibrës”, që tronditi edhe Europën dhe u bë çështje e Parlamentit Europian dhe Bundestagut, e delegoi në Prokurorinë e Dibrës për të relativizuar dhe shuar një nga krimet më të orkestruara elektorale të Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të “Rilindjes”.
Ishte ky SPAK, që denoncimin e opozitës në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit për krimet elektorale që bënë zyrtarët e “Rilindjes” me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ja kaloi Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi, sepse vëllai i Prokurorit ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndaj kjo solli edhe gjakderdhjen e Elbasanit, por edhe manipulimin e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria. Ishte po ky SPAK që për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2021, në vend që të hetonte Qeverinë, hetoi dy gazetarët që informuan publikun për skemën kriminale të patronazhimit të qytetarëve.
SPAK nuk është palë, por një instrument kamikaz i Edi Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë, pluralizmit politik dhe garanton paprekshmërinë e Ramës dhe regjimit të tij. Nuk ka as media, as pseudoanalistë, as sondazhe të mirëpaguara, që e mbulojnë dot më se çfarë është SPAK-u dhe Dumani. Ata janë garantët e korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të, godasin me regji dhe mirëkuptim “limona të shtrydhur” të Rilindjes, por pa cënuar aspak kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos Kryekorruptorin edhe të Ndërkombëtarëve”, deklaroi ndër të tjera Meta.






