Në një ngjarje të pazakontë që ka tërhequr vëmendjen e mediave amerikane, një burrë është arrestuar pasi përplasi automjetin e tij në portën e përparme të shtëpisë luksoze të aktores së njohur Jennifer Aniston në Los Angeles. Lajmi u konfirmua nga CNN, i cili ka pasur akses në të dhënat zyrtare që identifikojnë Aniston si pronaren e banesës ku ndodhi incidenti.
Ngjarja ndodhi të hënën, më 5 maj, rreth orës 12:20 të mesditës, sipas kohës lokale. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, oficeri Jeff Lee, autori i dyshuar u ndalua menjëherë pas përplasjes nga roja i sigurisë së rezidencës, i cili e arrestoi atë përpara mbërritjes së autoriteteve.
Nuk raportohet për të lënduar, dhe ende nuk janë bërë të ditura motivet që çuan burrin në këtë veprim. Incidenti ndodhi në një nga lagjet më të sigurta dhe të mbikëqyrura të qytetit, ku jetojnë shumë figura të njohura të botës së artit dhe kinemasë.
Policia vijon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe qëllimin e këtij veprimi, ndërsa nuk dihet ende nëse Jennifer Aniston ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes.