Se sa ushtarëve rusë u ka kushtuar deri tani jetën, lufta në Ukrainë është shumë e vështirë të vlerësohet. Informacionet për këtë janë jashtëzakonisht kontradiktore dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar vetëm një herë shifra për viktimat. Më 2 mars, ajo raportoi se që nga fillimi i luftës ka pasur 498 ushtarë rusë të vdekur dhe rreth 1600 të plagosur. Pas kësaj date Rusia e ka mbajtur të fshehtë numrin e viktimave të veta.
Të dielën në mbrëmje (20.03) në faqen e internetit të gazetës ruse “Komsomolskaja Pravda”, e cila është e afërt me qeverinë, u shfaq një lajm i cili thoshte se sipas qarqeve ushtarake, deri tani kanë vdekur 9,861 ushtarë rusë dhe janë plagosur mbi 16,000 të tjerë. Por ky informacion u hoq nga faqja pas vetëm pak minutash. Si arsye u tha se ky ishte një raport i rremë i publikuar nga hakerat.
Shumë më të larta se sa sugjerojnë shifrat zyrtare
Pavarësisht mohimit nga pala ruse mund të supozohet se numri i ushtarëve rusë të vrarë ose të plagosur është shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare ruse deri më sot. Pak ditë më parë bëri bujë një reportazh i Radio Liberty nga Bjellorusia, sipas të cilit morgjet në zonën kufitare me Ukrainën thuhet se janë të mbushura me ushtarë rusë të vdekur.
Në video shiheshin kolona të tëra autoambulancash ruse që supozohet se sillnin ushtarë të vdekur ose të plagosur në Gomel në Bjellorusi. Sipas raportit trupat e disa mijëra ushtarëve të vrarë rusë janë dërguar tashmë prej andej në Rusi.
Shifrat nga Ukraina janë të ndryshme
Portali ukrainas “The Kyiv Independent” publikon rregullisht vlerësimet e Shtabit të Përgjithshëm ukrainas dhe shkruan se trupat ruse kanë pësuar më shumë se 15,000 humbje. Në to përfshihen ushtarët e vrarë dhe ata që janë zënë rob.
Megjithatë këto shifra nuk mund të verifikohen nga burime të pavarura dhe ka shumë të ngjarë që ushtria ukrainase të flasë për shifra më të larta nga sa janë në të vërtetë për të theksuar efektivitetin e saj luftarak dhe arritjet ushtarake.
Pentagoni shprehet i rezervuar
Sigurisht që edhe Ministria e Mbrojtjes e SHBA-së po e ndjek gjithashtu nga afër situatën në Ukrainë. Pentagoni i përgatit raportet e tij të situatës bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete, vlerësimin e pamjeve satelitore komerciale dhe ushtarake si dhe nga përgjimi i komunikimit me radiomarrës të trupave ruse.
Ministria e Mbrojtjes e SHBA-së aktualisht supozon se duhet të ketë rreth 7,000 ushtarë rusë të vrarë dhe rreth dy deri në tri herë më tepër të plagosur. Thuhet se në pushtimin e Ukrainës janë përfshirë rreth 150,000 ushtarë rusë. Nëse shifrat e SHBA-së janë të sakta, atëhere vetëm një muaji më shumë se dhjetë për qind e trupave ruse të dislokuara fillimisht janë shkatërruar.
Platforma holandeze Oryx
Në përllogaritjen e humbjeve të ushtrisë ruse ekspertët ushtarakë amerikanë mbështeten edhe në raportet e disponueshme publikisht, si ato të platformës holandeze Oryx. Në të janë dokumentuar me përpikëri se sa automjete ushtarake ruse janë shkatërruar ose kapur nga ushtria ukrainase. Për secilin automjeteve ofrohet një fotografi ose video me datën e saktë. Sipas këtyre raporteve deri më sot ushtria ruse ka humbur brenda një muaji të paktën 270 tanke, 258 automjete këmbësorie dhe 178 automjete të blinduara luftarake.