Autoritetet iraniane kanë arrestuar katër persona, të akuzuar për përpjekje për të “prishur rendin politik dhe shoqëror” dhe për veprimtari “në dobi” të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara gjatë protestave antiqeveritare të muajit të kaluar.
Sipas mediave iraniane, të cituara nga Al Jazeera, arrestimet u kryen të dielën dhe përfshijnë tre figura të shquara të krahut reformist: Azar Mansouri, kryetare e Frontit të Reformës së Iranit, Mohsen Aminzadeh, ish-diplomat, dhe Ebrahim Asgharzadeh, ish-parlamentar. Identiteti i personit të katërt ende nuk është bërë publik.
Gjyqësori iranian deklaroi se të arrestuarit dyshohen për “organizimin dhe drejtimin e aktiviteteve të gjera që synonin destabilizimin e situatës politike dhe shoqërore”, në një periudhë kur Irani, sipas autoriteteve, përballej me “kërcënime ushtarake” nga Izraeli dhe SHBA-të. Agjencia zyrtare Mizan raportoi se ata akuzohen edhe për përpjekje për të “justifikuar veprimet e elementëve terroristë në rrugë”.
Fronti i Reformës së Iranit konfirmoi arrestimet përmes një deklarate në rrjetin social X, duke bërë të ditur se Azar Mansouri u arrestua në banesën e saj me urdhër gjykate nga forcat e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Po ashtu, sipas deklaratës, IRGC ka thirrur për marrje në pyetje edhe drejtues të tjerë të lartë të frontit reformist.
Arrestimet ndodhin në një klimë tensioni të shtuar pas protestave masive që shpërthyen fillimisht në Teheran për shkak të krizës ekonomike dhe u shndërruan në një lëvizje antiqeveritare mbarëkombëtare. Autoritetet iraniane i kanë cilësuar protestuesit si “terroristë” dhe kanë fajësuar ndërhyrjen e huaj për trazirat.
Qeveria iraniane ka deklaruar se 3,117 persona humbën jetën gjatë protestave, duke mohuar akuzat e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut se forcat shtetërore janë përgjegjëse për shumicën e vrasjeve. Ndërkohë, organizata HRANA, me seli në SHBA, thotë se ka verifikuar 6,854 viktima dhe po heton mbi 11,000 raste të tjera, ndërsa mijëra persona të tjerë janë arrestuar.






