Në Teheran po mbahet një ceremoni përkujtimore për ish-liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra më 27 Shtator gjatë bombardimeve izraelite në Liban. Sipas burimeve në terren, trupi i Nasrallah është varrosur përkohësisht në një vend të pazbuluar, nga frika se funerali mund të shënjestrohej nga Izraeli. Një burim i afërt me ushtrinë i tha agjencisë AFP se Nasrallah u varros përkohësisht deri sa të krijohen rrethanat e përshtatshme për një funeral popullor.
Ndërkohë, përkujtimorja për Nasrallah po mbahet në xhaminë Imam Khomeini Grand Mosalla në qendër të Teheranit, ku edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka marrë pjesë për të nderuar figurën e liderit të Hezbollahut. Ceremonia do të pasohet nga një predikim i mbajtur nga vetë Khamenei, siç është raportuar nga agjencia gjysmë zyrtare iraniane “Mehr”.