Ndërsa Irani përballet me sulme shkatërrimtare prej 11 ditësh nga SHBA dhe Izraeli, institucione shqiptare raportojnë për përpjekje të sofistikuara kibernetike nga aktorë të dyshuar iranianë.
Kuvendi i Shqipërisë informoi se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Si pasojë, është vënë re fshirja e disa të dhënave në llogari përdoruesish të administratës.
Vlerësimi paraprak tregon se sulmi ka qenë i sofistikuar dhe ka synuar fshirjen e informacionit dhe cenimin e sistemeve të brendshme. Megjithatë, infrastruktura kryesore e punës dhe faqja zyrtare e Kuvendit nuk janë prekur dhe vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Menjëherë pas incidentit, janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit. Ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira, ndërsa një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore ka nisur analizimin e plotë të incidentit dhe identifikimin e burimit të sulmit.
Kuvendi po bashkëpunon ngushtë me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, partnerët ndërkombëtarë ofrojnë mbështetje teknike për vlerësimin e situatës dhe vendosjen e masave të mëtejshme të sigurisë.
Ky incident vjen në një kohë kur sulmet kibernetike globale janë rritur dhe theksojnë nevojën për një koordinim të fortë dhe masat mbrojtëse të institucioneve shtetërore.






