Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, ka rrëfyer për herë të parë detaje tronditëse nga fëmijëria e tij, duke treguar se si një aksident i përgjakshëm me armë zjarri çoi në vdekjen e vëllait të tij më të vogël, Alfonso, pothuaj 70 vjet më parë.
Ngjarja ndodhi më 29 mars 1956, kur Juan Carlos, atëherë 18-vjeç, po luante me vëllain 14-vjeçar në shtëpinë familjare në Estoril, Portugali, duke përdorur një pistoletë dhuratë. Ai mendonte se arma ishte e zbrazët, por një plumb i mbetur goditi drejt në ballë Alfonsos, i cili vdiq në krahët e babait të tyre, mbretit në ekzil Juan de Borbón.
Në kujtimet e tij, të botuara në Francë me titullin “Juan Carlos I d’Espagne: Réconciliation”, ish-mbreti tregon se kjo tragjedi ka lënë një boshllëk të madh në jetën e tij dhe se nuk do të mund të shërohet kurrë nga dhimbja e humbjes së vëllait. Ai përshkruan momentin si “një ndarje që formoi karakterin dhe fatin e tij për dekada”.
Juan Carlos shton se, pavarësisht incidentit, nuk pati hetim gjyqësor, dhe vetëm katër ditë më vonë u kthye në Spanjë, ku gjenerali Franco po e përgatiste si pasardhësin e tij. Ai përshkruan gjithashtu dhimbjen e nënës, Princeshës María de las Mercedes, dhe mënyrën se si babai i mbuloi trupin e Alfonsos me flamurin spanjoll.
Libri, shkruar në bashkëpunim me historien Laurençe Debray, do të publikohet në spanjisht këtë dhjetor, në përvjetorin e 50-të të vdekjes së Francos dhe rikthimit të monarkisë. Kujtimet prekin jo vetëm humbjen personale, por edhe ndikimin e saj mbi jetën dhe sundimin e Juan Carlos-it, i cili abdikoi në vitin 2014 pas skandaleve dhe dyshimeve për korrupsion.
Kjo rrëfim i hap dritare të reja mbi jetën private të një prej figurave më të diskutueshme të monarkisë moderne spanjolle, duke nxjerrë në pah anën më njerëzore dhe të ndjeshme të ish-mbretit.






