Italia vijon të renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83.4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.
Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6.5 vite për gratë, duke arritur përkatësisht në 81.5 dhe 85.6 vite në vitin 2024.
Raporti “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të këtij treguesi, duke theksuar se një ndër faktorët kryesorë mbetet rënia drastike e vdekshmërisë foshnjore. Në vitin 2023, kjo normë ka zbritur në 2.7 për 1000 lindje, nga rreth 230 për 1000 lindje që ishte në shekullin XIX.
Sipas ekspertëve, ky progres lidhet me përmirësimin e kushteve të jetesës, ushqyerjen më të mirë, rritjen e standardeve të higjienës, përparimet në mjekësi dhe përhapjen e vaksinimit. Një rol kyç ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, që garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se këto arritje nuk duhen marrë si të mirëqena. Plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor mbeten sfida kryesore për të ardhmen.






