Ylli i Gjermanisë dhe Bayern Munich, Jamal Musiala, ka reaguar për herë të parë pas dëmtimit të rëndë që pësoi gjatë ndeshjes së Botërorit të Klubeve ndaj Paris Saint-Germain. 21-vjeçari, i cili doli nga fusha me barrelë pas një përplasjeje të dhimbshme me portierin Gianluigi Donnarumma, ndodhet aktualisht në fazë rikuperimi pas një operacioni të suksesshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musiala falënderoi fansat dhe komunitetin e futbollit për mbështetjen, duke treguar maturi dhe sportivitet të admirueshëm.
“Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen. Do të thotë shumë për mua. Është e bukur mënyra se si bota e futbollit bashkohet në momente të tilla. E vlerësoj shumë. Operacioni shkoi shumë mirë dhe ndjehem mirë.”
Pavarësisht përplasjes me Donnarummën, që çoi në frakturën e fibulës dhe një dëmtim të rëndë të ligamenteve në kyçin e këmbës, Musiala nuk mbajti asnjë qëndrim akuzues.
“Nuk akuzoj askënd për këtë që ndodhi, situata të tilla ndodhin në futboll. Tani do të përdor këtë periudhë për t’u rikuperuar dhe për të rifituar forcat. Nuk shoh dot orën t’ju rikthehem,” përfundoi ai.
Musiala pritet të mungojë nga fusha për katër deri në pesë muaj, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të sezonit me klubin dhe ndoshta edhe ndeshje të rëndësishme me kombëtaren gjermane.
Reagimi i tij ka marrë përgëzime të shumta nga bashkëlojtarë, klube dhe tifozë në mbarë botën, ndërsa mesazhi i tij i qetë dhe pozitiv është një shembull për të gjithë sportistët në përballje me sfida.