Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, i cili aktualisht është profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel, ka shprehur qëndrimin e tij në një bisedë për Albanian Post lidhur me vizitat e nivelit të lartë në Kosovë nga zyrtarë të rëndësishëm të SHBA-së dhe NATO-s. Shea ka vlerësuar pozitivisht vizitat e Shefit të CIA-s, William Burns, ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, dhe Komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralit amerikan Stuart B. Munsch.
Shea ka theksuar rëndësinë e këtyre vizitave për të marrë një perspektivë të dorës së parë nga KFOR-i dhe EULEX-i lidhur me situatën e sigurisë në terren dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur. “Marrja e perspektivës së dorës së parë të KFOR-it dhe EULEX-it në terren lidhur me situatën e sigurisë dhe gatishmërinë e tyre për t’u përgjigjur ishte pa dyshim e dobishme edhe për vizitat e nivelit të lartë. Askush nuk dëshiron më shumë dhunë dhe sigurisht jo një përsëritje të incidentit të Banjës të shtatorit të vitit të kaluar,” ka thënë Shea.
Në këndvështrimin e tij, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor kërkon angazhim të vazhdueshëm ndërkombëtar, duke shtuar se parandalimi është gjithmonë më i mirë se kurimi. Ai ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës pas insistimit të vazhdueshëm të ekzekutivit kosovar për të hapur urën në Mitrovicë.
“Shea ka shtuar se hapja e mundshme e urës në Mitrovicë ka shkaktuar shqetësim për telashe të mundshme apo edhe shpërthim të dhunës në Veri. Megjithëse ambasadorët perëndimorë në Prishtinë kanë dhënë mesazhet e tyre, Shea mendon se ishte e dobishme që këto mesazhe të përcilleshin edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë që erdhën në Prishtinë, duke theksuar ndikimin pozitiv të tyre.
Sipas Shea, për të parandaluar përsëritjen e sulmeve terroriste dhe për të forcuar sigurinë e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, NATO duhet të rrisë praninë e ushtarëve në veri. Kjo masë do të parandalonte futjen e paraushtarakëve serbë dhe kontrabandën e armëve. “Pra, përforcimet e KFOR-it të dërguara në Kosovë që nga pranvera duhet të mbeten për momentin. NATO dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojnë presionin ndaj Beogradit për të qenë transparent në lidhje me praninë e grupeve paraushtarake dhe për të treguar bindshëm se i ka çmontuar ato,” potencoi Shea.
Vizitat e zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe NATO-s kanë pasur qëllim qartësimin e situatës dhe diskutimin për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, një temë e cila është diskutuar edhe në takimet e kryeministrit Albin Kurti me Shefin e CIA-s, William Burns, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.