Demokratët zgjedhin sot kreun e ri të PD, mes Lulzim Bashës dhe Gjergj Hanit. Në Kukës nga rreth 2500 anëtarë që kanë qenë me drejtë vote në zgjedhjet e 2021 në këtë parti numri i anëtarëve është reduktuar në mënyrë drastike në vetëm 242 anëtarë.
Deri në orën 9:00 kanë votuar në këtë degë 15 anëtarë.
Lista e anëtarëve të PD u tkurr ndjeshëm, nga 75 mijë në 2021, në 25 mijë.
Edhe në Vlorë ka nisur procesi i votimit.
Janë 750 votues në Vlorë. 180 votues në Selenicë! Lista e anëtarësisë aktive në Vlorë e Selenicë reduktohet ndjeshëm.
Edhe në qarkun e Beratit ka nisur mëngjesin e sotëm proçesi i votimit për zgjedhjet e kreut të PD-së,ku në garë janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Votimi, siç edhe ishte parashikuar, ka nisur në orën 08:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00. Sipas listave në PD Berat janë 319 anëtarë me të drejtë vote, në PD Kuçovë janë 275 anëtarë me të drejtë vote, në PD Dimal janë 250 anëtarë me të drejtë vote, në PD Poliçan janë 300 anëtarë me të drejtë vote dhe në PD Skrapar janë 120 anëtarë me të drejtë vote.
Në ndryshim nga vitet e tjera, këtë vit votimi nuk po kryehet në zyrat e a Partisë Demokratike por në ambjente të marra me qera. Deri më tani nuk raportohen problematika dhe proçesi po vijon i qetë, ndërkohë që pjesëmarrja është shumë e ulët në të pesta degët e PD-së në qarkun e Beratit.
E njëjta situatë edhe në Korçë.
Përqindje e ulët e pjesëmarrësve në votimin për kryetar të PD zyrtare deri në orën 09:00, ku numri është shumë i pakët në gjithë qendrat e votimit të juglindjes se vendit, përfshi dhe degën e PD Korçë aty ku mendohet që votuesit janë më të shumtë.
Për kryetarin e PD zyrtare në Korçë Elvin Bregu kanë konfirmuar pjesëmarrjen më shumë se 500 antare të kësaj force politike dhe numri i votuesve në orët në vijim do të rritet.
I ulët numri i votuesve ka qenë dhe në degët e PD Devoll, Pogradec, Maliq dhe Kolonjë.
Edhe në Shkodër proçesi ka nisur që në orën 08:00.
Në një prononcim për mediat, kreu i PD dega Shkodër, Xhevdet Amuli tha procesi deri tani është i qetë dhe pjesëmarrja është e kënaqshme.
“Proçesi është i qetë, pjesëmarrja shumë e kënaqshme. Janë 2 qendra votimi. 1200 anëtarë të PD në Shkodër me të drejtë vote.
PD është aset kombëtar, më e madhe se çdo person. Nuk është pronë e askujt, por është e demokratëve të ndershëm dhe e atyre që duan ta çojnë këtë vend përpara”- u shpreh ai.