Kampi i pritjes së emigrantëve në Shqipëri është i gatshëm për të hapur dyert e tij të martën, më 20 gusht, për të pritur kontingjentin e parë të forcave të policisë italiane. Këta efektivë do të garantojnë sigurinë në qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin. Pjesë e përgatitjeve për ardhjen e tyre ka qenë edhe dorëzimi i një liste me këshilla se si duhet të sillen në përputhje me traditat dhe kulturën vendase.
Kampi është vendosur brenda portit të Shëngjinit në një hapësirë prej 4 mijë metrash katrorë dhe në Gjadër, rreth 30 kilometra larg Shëngjinit. Në këtë zonë pritjeje do të përpunohen të gjitha kërkesat për azil të emigrantëve. Atyre që u refuzohet kërkesa për azil do të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Marrëveshja me Italinë për menaxhimin e emigrantëve u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga parlamentet e të dyja vendeve, si dhe u aprovua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, në kampin e Gjadrit nuk do të strehohen më shumë se 3 mijë emigrantë të paligjshëm që kapen në ujërat ndërkombëtare.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes për tre muajt e parë, duke këshilluar emigrantët për të drejtat e tyre për të kërkuar azil dhe duke siguruar që procedurat të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut.
Kapaciteti maksimal i qendrës së pritjes në Shqipëri është 3 mijë emigrantë në muaj. Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, autoritetet italiane do të largojnë refugjatët nga territori shqiptar me shpenzimet e tyre. Sipas marrëveshjes, Shqipëria lejon hyrjen dhe qëndrimin e migrantëve vetëm për kryerjen e procedurave kufitare ose të riatdhesimit, siç parashikohet nga legjislacioni italian dhe evropian.
Nëse, për ndonjë arsye, e drejta e qëndrimit në këto struktura nuk gjen zbatim, pala italiane është e detyruar të transferojë menjëherë migrantët jashtë territorit shqiptar. Transporti i migrantëve për dhe nga këto struktura do të jetë përgjegjësi e autoriteteve italiane. Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin shqiptar do të bëhet ekskluzivisht me mjete të autoriteteve italiane. Në momentin e mbërritjes në territorin shqiptar, autoritetet e të dyja palëve do të përmbushin detyrimet sipas legjislacionit kombëtar dhe kushteve të protokollit të nënshkruar.
Pala italiane është përgjegjëse për shpenzimet e ndërtimit dhe përshtatjen e strukturave të nevojshme për qëndrimin e migrantëve, si dhe për sigurinë e personelit shqiptar që ruan perimetrin e jashtëm të zonave. Shqipëria do të lehtësojë ofrimin e shërbimeve të nevojshme për funksionimin e strukturave, ndërsa pala italiane do të mbulojë të gjitha kostot.
Autoritetet shqiptare do të sigurojnë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor, ndërsa autoritetet italiane do të mbajnë përgjegjësinë për ruajtjen e rendit brenda zonave. Për bashkëpunimin e ndërsjellë për sigurinë, secila palë do të ngrejë një njësi përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe koordinimin e çështjeve të sigurisë.
Migrantët nuk do të lejohen të dalin nga kampet në pjesën tjetër të territorit shqiptar, gjatë kohës së procedurave administrative dhe pas përfundimit të tyre, sipas kushteve të marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë.