Karoline Leavitt, 27 vjeç, është zyrtarisht sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë nën administratën e re të Donald Trump. Ajo e ka prezantuar veten si një pioniere politike të brezit të ri dhe një besnike të përkushtuar të ish-presidentit amerikan.
Leavitt është aktive në mediat sociale, ku përveç postimeve nga jeta personale, ndan shpesh deklarata të forta politike. Një nga postimet më të përfolura është një video e vitit 2022, ku ajo shfaqet duke përdorur një armë automatike me mbishkrimin: “@JoeBiden, ejani dhe merreni”.
Ajo ka një qasje të hapur kundër mediave liberale dhe ka premtuar ndryshime të mëdha në dhomën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë. Deri më tani, Leavitt nuk ka mbajtur konferenca të përditshme për shtyp, por është shfaqur në disa media konservatore si Fox News dhe Newsmax.
Një karrierë e ngritur me shpejtësi
E lindur në New Hampshire, Leavitt u rrit në një familje punëtore dhe punoi në dyqanin e akulloreve të prindërve të saj gjatë pushimeve. Pas përfundimit të studimeve në komunikim dhe shkenca politike në Kolegjën Katolike Saint Anselm, ajo siguroi një praktikë në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së parë të Trump-it. Më pas, ajo u bë ndihmës sekretare për shtyp dhe më vonë drejtoreshë e komunikimit për kongresisten republikane Elise Stefanik.
Në vitin 2022, Leavitt kandidoi për Kongres në New Hampshire, por humbi ndaj rivalit demokrat. Pavarësisht kësaj, ndikimi i saj brenda rrethit politik të Trump-it vazhdoi të rritet, duke e çuar në emërimin e saj si sekretare për shtyp të fushatës presidenciale të Trump-it në 2023.
Një zëdhënëse luftëtare
Leavitt është e njohur për përplasjet e saj me mediat liberale dhe ka theksuar dëshirën për të “vendosur etiketa” në dhomën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë. Ajo ka deklaruar se do të revolucionarizojë komunikimin me publikun duke përfshirë më shumë podcasterë dhe influencues të mediave sociale në procesin informativ.
Në një tubim të fundit, ajo tha se “ka kënaqësinë e madhe të luftojë me median e lajmeve të rreme gjatë gjithë ditës”, ndërsa CNN-i e ndërpreu njëherë gjatë një interviste për shkak të akuzave të saj ndaj rrjetit për paragjykim politik.
Një nënë punëtore me ambicie të mëdha
Gjatë fushatës së Trump-it, Leavitt u bë nënë për herë të parë. Ajo tregon se vetëm tre ditë pas lindjes së djalit të saj, vendosi të rikthehej në punë pasi mësoi për tentativën e vrasjes ndaj Trump-it. “Presidenti vuri jetën e tij në rrezik për të fituar këtë zgjedhje. Më e pakta që mund të bëja ishte të kthehesha në punë shpejt”, ka thënë ajo për “The Conservateur”.
Leavitt e sheh veten si një përfaqësuese të grave republikane që balancojnë karrierën dhe familjen. “Unë e kam bërë makijazhin ndërsa ushqeja fëmijën dhe flisja në telefon për t’u përgatitur për një paraqitje në TV. Asnjë burrë nuk mund ta bënte këtë”, është shprehur ajo.
E ardhmja e saj në politikë
Trump e ka lavdëruar Leavitt si “një komunikuese të jashtëzakonshme” dhe “një zë të fortë për lëvizjen MAGA”. Ekspertët politikë besojnë se ajo do të jetë një figurë kyçe gjatë administratës së re dhe një kandidate potenciale për pozicione më të larta në të ardhmen.
Për momentin, Trump vazhdon të mbajë vëmendjen kryesore në konferencat për shtyp, ndërsa Leavitt e mbështet nga prapaskena, duke forcuar pozicionin e saj si një nga figurat më të spikatura të politikës konservatore të brezit të ri.