Sot Partia Demokratike feston 35-vjetorin e themelimit, duke kujtuar historinë dhe arritjet e saj në rrugën e demokracisë në Shqipëri. Në ceremoninë përkujtimore, zëdhënësja e PD, Floriana Garo, mbajti fjalën e hapjes, duke përshëndetur themeluesit, liderët historikë dhe demokratët e pranishëm.
Garo u shpreh se historia e PD-së ka treguar se kur demokratët qëndrojnë bashkë dhe besojnë tek liria, edhe e pamundura bëhet e mundur. Ajo kujtoi arritjet historike të partisë, duke përmendur ndryshimin e vitit 1990, liberalizimin e vizave, antarësimin e Shqipërisë në NATO, rolin në pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e Rrugës së Kombit, që bashkoi shqiptarët pa dallim feje apo ideje.
“Sot PD gjendet para sfidash të mëdha,” tha Garo, duke vënë theksin tek rreziku që sipas saj përballet demokracia në vend. Megjithatë, ajo shtoi se kjo sfidë nuk është fundi i PD-së, por një moment për të treguar qëndresë, besim dhe bashkim.
Fjalimi përfundoi me një apel për unitet dhe vendosmëri: “Ne bashkë, nëse duam, nëse besojmë, nëse ngrihemi pa frikë, e mposhtim regjimin e Edi Ramës. Ne e rikthejmë PD-në në vendin që i takon: forcë e parë dhe forcë fituese.”
Ceremonia festoi jo vetëm të kaluarën e Partisë Demokratike, por edhe synimet e saj për të ardhmen, duke theksuar rolin e saj si mbrojtëse e lirisë dhe pluralizmit në Shqipëri.






