Pas debateve dhe tensioneve, opozita dhe mazhoranca kanë arritur një marrëveshje për të zhbllokuar punën në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-up në Shëndetësi. Të martën, ato miratuan planin e vizitave për dy javët e ardhshme.
Vizitat e përbashkëta do të fillojnë këtë të premte në spitalin e Durrësit. Gjatë dy javëve të ardhshme, komisioni do të vizitojë edhe Spitalin e Traumës, Shkodër, Lushnje dhe Vlorë. Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, theksoi rëndësinë e këtyre vizitave për të monitoruar zbatimin e kontratave koncesionare të sterilizimit dhe check-up.
“Këtë të premte të bëhet një vizitë në Durrës në spitalin e Durrësit. Më tej do vendosim për vizita në dy qendra shëndetësore apo në laborator. E gjithë disa do fokusohet në Durrës. Të martën të bëhet një vizitë te spitali i Traumës. Po ashtu do diskutojmë nëse do vizitojmë në të njëjtën rrugë një qendër shëndetësore dhe një laborator. Fundjavën që vjen në Vlorë, Lushnjë dhe Shkodër. Në fund të javës që vjen shpresoj që t’i kemi ezauruar. Biem dakord që të kemi në Durrës, Shkodër në Lushnjë dhe në Vlorë. Pastaj për pjesën e orës vendit apo vizitave do ju informoj më në detaje pasi ta përcaktojmë. Jeni dakord që këto dy javë të fokusohemi te vizitat në terren dhe për këqyrjen në vend të operimit të dy koncesioneve sterilizimit dhe check up. Të gjithë dakord”, tha kryetarja e komisionit hetimor Albana Vokshi.
Seancat dëgjimore do të fillojnë më 3 qershor, me grupet e auditit të KLSH dhe organizatën Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e sterilizimit. Vokshi njoftoi se dëgjesat do të jenë intensive dhe të përditshme për të trajtuar listën e gjatë të dëshmitarëve.
“Sa i përket planit të dëgjesave. Sa kohë ende ka një ngërç në përcaktimin e objektit me kryesinë e vogël ne propozojmë që dëgjesat të fillojnë në 3 qershor. Të nisim ditën e hënë më datë 3 dëgjesat me anëtarët e grupeve të auditit të KLSH. Pra do t’i lëmë të gjithë ditën e hënë. PS ka propozuar disa emra të personave që kanë qenë pjesë e auditit të të gjithë raporteve që kanë të bëjnë me koncesionet e sterilizimit dhe check up. Të hënën do t’i lihet KLSH, ndërkohë që të martën do ftojmë Nismën Thurje që është dhe kallëzuesi në SPAK. Lista e propozuar e dëshmitarëve si nga opozita dhe maxhoranca është e gjatë. Ditët në vijim mund të kemi punë intensive kur të fillojnë dëgjesat. Do jetë e përditshme sepse kemi shumë dëshmitarë se bëhet fjalë për dy koncesione”, shtoi Vokshi.
Ende nuk ka dakordësi për periudhën e hetimit që do të mbulohet nga komisioni, që pritet të diskutohet në një mbledhje tjetër. Komisioni ka afat deri në fund të korrikut për të përfunduar hetimet mbi koncesionet e sterilizimit dhe check-up.