Konfindustria ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve përmes Bordit të Transparencës, duke e konsideruar këtë hap si të nevojshëm, por të ndërmarrë me vonesë.
Sipas organizatës, kjo përbën ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të ekzekutivit në treg, në një moment të karakterizuar nga krizë energjetike dhe zhvillime të tensionuara në rajonin e Gjirit Persik. Konfindustria thekson se shumë vende të rajonit kanë reaguar më herët me masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.
Organizata vlerëson se çmimet e vendosura aktualisht janë mbi 8% më të ulëta, çka sipas saj tregon për hapësira të mëdha për spekulime nga operatorët dhe nevojën për kontroll të vazhdueshëm të tregut.
Në të njëjtën kohë, Konfindustria i ka paraqitur qeverisë katër kërkesa konkrete: uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve, krijimin e një enti rregullator të posaçëm për sektorin, rishikimin e strukturës së tregut për të shmangur fenomenet e kartelit dhe oligopolit, si dhe ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës vendase.
Sipas Konfindustrisë, ndërhyrjet afatshkurtra duhet të shoqërohen me reforma të qëndrueshme për të garantuar stabilitet dhe transparencë në tregun strategjik të karburanteve.






