Policia e Korçës ka vënë në pranga një 48-vjeçar, banues në fshatin Vloçisht të Maliqit, i cili akuzohet për disa raste vjedhjesh në varrezat e qytetit. Shtetasi me inicialet B.M., i cili ushtronte aktivitet në fushën e shërbimeve funerale, dyshohet se ka hyrë në mënyrë të përsëritur në varreza, ku ka kryer vjedhje të pllakave prej mermeri dhe graniti nga varret.
Sipas hetimeve, i arrestuari i çmontonte bazamentet dhe i çonte në punishten e tij për t’i përpunuar dhe më pas për t’i shitur, duke përfituar në mënyrë të paligjshme nga objektet funerare të të ndjerëve.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë në komunitet, për shkak të ndjeshmërisë që lidhet me shkeljen e qetësisë së varreve.
Ndaj 48-vjeçarit janë ngritur akuza për veprën penale “Dhunimi i varreve” dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Hetimet për rastin vijojnë.






