Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike drejt ujërave lindorë, thanë më 4 maj zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të Japonisë. Ky njoftim vjen disa ditë pasi lideri verikorean, Kim Jong Un, u zotua se do të forcojë arsenalin e tij bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm” dhe kërcënoi se mund të përdorë armë bërthamore kundër rivalëve.
Ky është rundi i 14-të i lëshimeve të raketave gjatë këtij viti në Korenë e Veriut dhe po ashtu vjen gjashtë ditë pasi presidenti i ri i Koresë së Jugut të marrë mandatin pesëvjeçar.
Përmes një deklarate për media, ushtria jugkoreane tha se raketa u lëshua nga rajoni i kryeqytetit të Veriut dhe fluturoi për në ujërat e bregdetit lindor. Në deklaratë u tha se ushtria jugkoreane po monitoron për armë të reja që Koreja e Veriut mund të testojë.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Japonisë tha se Koreja e Veriut ka të ngjarë që ka lëshuar një raketë balistike, por nuk dha më shumë detaje. Rojet bregdetare japoneze u bënë thirrje anijeve që lundrojnë jashtë brigjeve japoneze që të kenë kujdes.
Vëzhguesit kanë thënë se ritmi i shpejt i testimeve të armëve nga Koreja e Veriut tregon se ky shtet ka bërë përparim në programet e raketave dhe po bën presion ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave. Ata thonë se Kim dëshiron që të përdorë arsenalin e tij bërthamor për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi ai beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara që të lehtësojë sanksionet ekonomike që ka vendosur ndaj Phenjanit.
Koreja e Veriut gjatë këtij viti ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale, që mund të ketë aftësi të arrijë në tokën amerikane.
Javën e kaluar, Kim Jong Un, shfaqi raketat e tij më të fuqishme bërthamore gjatë një parade ushtarake të mbajtur në Phenjan. Gjatë fjalimit në këtë paradë, ai tha se do ta zhvillonte arsenalin e tij bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm”, duke kërcënuar se Koreja e Veriut mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohen interesat e saj kombëtare.