Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e 21 shtatorit, hetuesit e njësitit të anti-drogës mbyllën një laborator të përpunimit të kokainës dhe heroinës në Prishtinë. Ky aksion erdhi pas një hetimi intensiv dhjetëmujor, i cili zbuloi një laborator të vendosur në rrugën “Hyzri Talla” në kryeqytet.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se ky laborator është përdorur nga të dyshuarit për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë, të cilat më pas paketoheshin në doza të vogla për t’u shpërndarë në rajone të ndryshme të Kosovës. Laboratori i zbuluar është një prej laboratorëve të shumtë që janë shkatërruar në vitet e fundit në vend.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, përshëndeti këtë operacion dhe theksoi se ky është laboratori i 19-të i tillë i shkatërruar në tre vitet e fundit. Ai gjithashtu përmendi se në këtë periudhë janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë droga të llojeve të ndryshme. Ministri Sveçla nënvizoi vendosmërinë e institucioneve për të vazhduar luftën kundër trafikut të drogës, duke deklaruar se askush nuk do të jetë i paprekshëm para ligjit.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë,” shkroi Sveçla në Facebook, duke siguruar qytetarët për përpjekjet e pandalshme të institucioneve të rendit në këtë drejtim.