Kolegji i Posaçëm i Apelimit,shpalli sot vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, Elona Toro. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit.Kolegji çmoi se gjyqtarja Elona Toro ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe e la në fuqi vendimin e Komisionit për konfirmimin e saj në detyrë.
Çfarë ndodhi me vendimin e gjyqëtares që nga 2020:
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro u konfirmua me shumicë votash në detyrë më 17 qershor 2020, pasi kryesuesja e trupës, Firdes Shuli dhe relatorja Pamela Qirko u bindën nga shpjegimet e saj. Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja arsyetoi në favor të shkarkimit, duke vlerësuar se Toro kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kreu ankim duke e konsideruar të paplotë hetimin e KPK-së lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë, konkretisht për mundësinë e personave të tjerë të lidhur për një hua dhe dhurimet e kryera. Edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare, Ballhysa vlerësoi se subjekti gjendej me lbalanca negative në disa vite dhe kërkoi shkarkimin e saj nga detyra.
Gjyqtarja Toro e kundërshtoi analizën financiare të Komisionerit dhe këmbënguli se pamundësia financiare që mbetej ishte proporcionale dhe nuk mund të sillte penalizim. Ajo i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit, në aplikim edhe të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.
Lidhur me mundësinë e babait të subjektit për dhurimin e shumave 6000 euro dhe 4000 USD, vlera me të cilat është paguar kësti i parë i apartamentit në Tiranë, Kolegji ka pranuar ta kryejë analizën për periudhën e kërkuar nga komisioneri, shkurt 2005 – nëntor 2008.
Kryesuesi Çomo shpjegoi se nuk është konsideruar në analizë si shpenzim i babait të subjektit shuma 270 mijë lekë e depozituar prej tij në një llogari bankare, si dhe nuk është përfshirë në zërin e të ardhurave vlera 220 mijë lekë nga qiradhënia e një apartamenti, pasi nuk ishin paguar detyrimet tatimore. Sipas analizës së KPA-së, babai i subjektit ka pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për dhurimin e këtyre shumave.
Për huanë 45 mijë euro të marrë nga bashkëshorti prej shtetasit A.Ll., po për pagesën e çmimit të apartamentit, Komisioneri kërkoi kryerjen e një analize të polotë financiare për të verifikuar mundësinë e huadhënësit, duke llogaritur shpenzime jetese për gjithë pjesëtarët e familjes dhe investimet e kryera prej tij.
Çomo sqaroi se Kolegji ka konsideruar si të ardhura prej aktivitetit të huadhënësit vetëm ato për të cilat ishin paguar detyrimet tatimore, të cilat plotësojnë kriteret e të ardhurës së ligjshme. Shpenzimet e jetesës janë konsideruar për gjithë pjesëtarët e familjes, ndërsa nuk janë përfshirë në analizë si shpenzimet investimet në bono thesari nga personi i lidhur.
Në mungesë të përcaktimit të marzhit të fitimit nga institucionet tatimore, Kolegji ka kryer vlerësim të diferencuar të fitimit të huadhënësit nga aktiviteti tij tregtar, bazuar në shërbimet që ka kyer. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për dhënien e huasë në shumën rreth 400 mijë lekë.
Kryesuesi Çomo sqaroi se në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit; faktit se huadhënësi ka pasur të tjera burime të ardhurash; pamundësisë objektive të subjektit për të siguruar dokumentacion; si dhe se nuk janë ngritur dyshime lidhur me egzistencën e huasë, është arritur në konkluzionin se balanca negative nuk do të jetë përcaktuese për krijimin e shumës 45 mijë euro dhe do të vlerësohet se e kalon testin e ligjshmërisë.
Ndërkohë, pas rikryerjes së analizës financiare për vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016 është konsideruar si i drejtë konstatimi i komisionerit se pagat e bashkëshortit të subjektit janë të papërcaktuara për shkak të mospërputhjeve të hasura në aktet e administruara. Kolegji ka çmuar të konsiderojë si të ardhur vlerën e pagës minimale sipas legjislacionit në fuqi.
Pas korrektimit të analizës financiare ku janë reflektuar shpenzimet e udhëtimit të familjes së subjektit sipas qëndrimit të komisionerit, ka rezultuar balancë negative për të katër vitet, në vlerën totale 872 mijë lekë.
Bazuar në parimin e objektivitetit dhe propocionalitetit, si dhe për shkak se balancat e pasurive kanë rezultuar të shpërndara në disa vite, Kolegji çmon se këto mungesa financiare nuk mund të passjellin penalizim për subjektin.