Pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për herën e tretë radhazi, Gabriele Gravina ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Lajmi u bë zyrtar gjatë një mbledhjeje emergjente të këshillit të përgjithshëm të federatës, pas humbjes së kombëtares italiane ndaj Bosnje e Hercegovinës në finalen e “play-off”-it.
Zgjedhjet për pasuesin e tij do të mbahen më 22 qershor, ndërsa Gravina do të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e presidentit të ri. Në mbledhjen emergjente ishin të pranishëm figura kyçe të futbollit italian, përfshirë presidentët e ligave Serie A, B dhe C, shoqatën e lojtarëve dhe shoqatën e trajnerëve.
Gravina ka drejtuar federatën që nga tetori i vitit 2018, gjatë së cilës kombëtarja italiane fitoi EURO 2020, por gjithashtu dështoi të kualifikohej për Kupat e Botës 2022 dhe 2026. Gjatë mandatit të tij janë emëruar trajnerë si Luçiano Spaleti dhe Xhenaro Gatuzo, por rezultatet e dobëta të kombëtares kanë sjellë presion publik dhe thirrje për dorëheqje.
Favoritët për ta pasuar Gravina janë Giovanni Malagò, ish-president i CONI-t, Giankarlo Abete, ish-president i FIGC-së (2007–2014), dhe Mateo Marani, president i Lega Pro. Demetrio Albertini mbetet një kandidat i mbështetur nga lojtarët, por më shumë në prapavijë. Ministri i Sportit, Andrea Abodi, nënvizoi nevojën për rindërtim të futbollit italian duke filluar nga rinovimi i udhëheqjes së FIGC-së.






