Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se buxheti për vitin e ardhshëm do të përfshijë një fond prej 22 milionë eurosh për të mbështetur bebet e porsalindura. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama theksoi rëndësinë e kësaj nisme për familjet shqiptare dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.
“22 milionë euro janë në buxhet, për të gjitha bebet që do të na gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë 2025,” deklaroi kryeministri, duke shprehur angazhimin e qeverisë për të vijuar mbështetjen për familjet e reja dhe fëmijët.
Gjithashtu, Rama vuri në dukje se ekonomia e vendit ka shënuar rritje dhe borxhi publik është ulur, duke e cilësuar atë si një ndër më të ulëtit në rajon. Ai përmendi faktin se deri më tani qeveria ka investuar mbi 145 milionë euro për të mbështetur fëmijët e porsalindur dhe familjet e tyre, si një tregues i politikave të përqendruara te mirëqenia sociale.
“Ndërkohë, deri tani kemi financuar mbi 145 milionë euro për bebet e porsalindura! Ndërsa 22 milionë euro të tjera janë në buxhetin e 2025, për të gjitha bebet që do të na gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë 2025. Kemi rritur ekonominë dhe kemi ulur borxhin publik, ndër më të ulëtin në rajon,” përfundoi kryeministri.