Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë të kuptohet se do të rikandidojë për drejtimin e forcës politike në zgjedhjet e 23 majit.
I pyetur nga gazetarët gjatë një konference për media nëse do të garojë sërish, Berisha u përgjigj shkurt: “Kush të tha që jo? Po si e bën këtë pyetje. Kaq përgjigja”.
Sa i përket debatit nëse rikandidimi bie ndesh me statutin e partisë, ai theksoi se interpretimi i tij lidhet me procesin zgjedhor.
“Sipas nenit, bëhet fjalë për zgjedhje dhe jo për fazë elektorale. Nëse ka një realitet, zgjedhjet ishin farsë. Kur zgjedhjet janë normale, është detyra e drejtuesit të japë dorëheqjen”, u shpreh Berisha.
Deklarata e tij pritet të nxisë debat të ri brenda Partisë Demokratike, në prag të zgjedhjeve për drejtimin e saj.






