Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi i Shqipërisë hapi seancën e sotme plenare me një akt të pazakontë, por domethënës: Sofi Xhafo, nxënëse e klasës së 9-të në shkollën “Naim Frashëri”, u ftua të drejtonte për disa minuta punimet e sallës.
Kryetari i Kuvendit, duke prezantuar nismën, theksoi se ky ishte një mesazh i fortë simbolik:
“Çdo vendim që marrim këtu ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e fëmijëve tanë.”
Fjalimi i Sofisë: “Ju lutem, mendoni për ne”
E emocionuar, por e qartë në mesazhin e saj, Sofi u kërkoi deputetëve të vendit që të vendosin fëmijët në qendër të politikave:
“Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt, të dëgjohen, të shkollohen, të luajnë dhe të rriten me dashuri. Ju lutem, mendoni për ne, për ëndrrat tona dhe për çdo fëmijë që ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.”
Ajo njoftoi edhe krijimin e grupit vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, të përbërë nga 24 deputete, i cili do të punojë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të miturve.
Prioritet i pandryshueshëm
Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit theksoi se mbrojtja e fëmijëve dhe forcimi i zërit të tyre mbeten një prioritet i pandryshueshëm në agjendën parlamentare.
Ky moment i veçantë, i realizuar vetëm një ditë para datës 20 nëntor, vuri në qendër të vëmendjes rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve në procese demokratike dhe domosdoshmërinë e garantimit të të drejtave të tyre në çdo nivel të vendimmarrjes.






