Filmi i shumëpritur me Kiara Titon dhe Luiz Ejllin, “Loja e fundit”, që pritet të dalë në kinema gjatë muajit shkurt, vijon të mbajë të lartë interesin e publikut, ndërsa dalëngadalë po zbulohen detaje të reja nga historia dhe personazhet.
Së fundmi është mësuar se dy protagonistët kryesorë mbajnë emrat Luiz Belli dhe Kiara Pipo, një zgjedhje që ka tërhequr menjëherë vëmendjen për shkak të ngjashmërive të dukshme me emrat dhe figurën publike të dy aktorëve në jetën reale.
Megjithatë, burime pranë produksionit sqarojnë se filmi nuk rrëfen historinë personale të Kiarës dhe Luizit. “Loja e fundit” është një histori tërësisht fiktive, e ndërtuar mbi personazhe të imagjinuar. Autenticiteti që ndjehet në ekran lidhet më shumë me kiminë emocionale mes dy protagonistëve dhe mënyrën se si ata ndërtojnë marrëdhënien në film, elemente që e bëjnë rrëfimin të duket i afërt dhe real për publikun.
Përveç roleve kryesore, në kastin e zbuluar deri tani bëjnë pjesë edhe Akil Varfi, Eglein Laknori, Besnik Çinari, Drande Xhaj dhe Zhani Ciko, duke premtuar një ansambël të pasur interpretimesh.
Filmi vjen nën produksionin dhe skenarin e Klaudia Brahimajt, me regji të Bjordi Mezinës, dyshe që më herët ka sjellë projekte të suksesshme dhe të dashura për publikun si “Luli & Goni Lemes” dhe serialin “HOT”.
“Loja e fundit” konsiderohet një nga projektet më të komentuara të fillimvitit, ndërsa publiku pret me interes zbulime të tjera mbi historinë, personazhet dhe surprizat që pritet të sjellë filmi në ekranin e madh.






