Presidenti francez Emmanuel Macron po shtyn përpara një nismë që synon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke e pozicionuar Francën mes vendeve të para të Bashkimit Evropian që ndërmerr një hap të tillë.
Projektligji, i miratuar fillimisht nga Asambleja Kombëtare, parashikon që platformat sociale të refuzojnë regjistrimin e përdoruesve nën këtë moshë dhe të pezullojnë llogaritë ekzistuese të tyre. Megjithatë, në Senati i Francës janë propozuar ndryshime që kërkojnë një qasje më fleksibile, duke sugjeruar një sistem me dy nivele për aksesin e të miturve.
Sipas këtij propozimi, platformat që konsiderohen të dëmshme për zhvillimin fizik, mendor ose moral të fëmijëve do të ndalohen plotësisht, ndërsa të tjera mund të përdoren me miratimin e prindërve. Versioni i rishikuar përjashton gjithashtu enciklopeditë online dhe platformat arsimore.
Nisma mbështetet edhe nga Brigitte Macron, e cila prej vitesh ka bërë fushatë kundër ngacmimit kibernetik. Autoritetet e shëndetit publik në Francë kanë paralajmëruar se platforma si TikTok, Snapchat dhe Instagram mund të kenë ndikim negativ te adoleshentët, veçanërisht tek vajzat.
Macron ka deklaruar se emocionet e fëmijëve nuk duhet të “manipulohen nga algoritmet”, duke theksuar nevojën për mbrojtje më të fortë në hapësirën digjitale.
Megjithatë, projektligji përballet me kundërshti. Disa organizata për mbrojtjen e fëmijëve argumentojnë se përgjegjësia duhet t’u kalojë platformave dhe jo të kufizohet akses i të miturve. Ndërsa ligjvënës të majtë e kanë cilësuar nismën si “paternalizëm dixhital”.
Edhe nëse miratohet, sfidë kryesore mbetet zbatimi. Komisioni Evropian ka theksuar se një sistem efektiv për verifikimin e moshës është ende në zhvillim dhe nuk pritet të hyjë në fuqi para vitit 2027, duke e bërë të paqartë efektivitetin e menjëhershëm të ligjit.






