Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është transferuar në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, një nga institucionet më të sigurta në Shtetet e Bashkuara, e njohur për mbajtjen e të burgosurve me profil të lartë, mes tyre Ghislaine Maxwell dhe reperi P. Diddy.
Sipas burimeve amerikane, Maduro mbërriti fillimisht të shtunën në një bazë ushtarake në SHBA, për t’u dërguar më pas në zyrat e Agjencisë Amerikane kundër Drogës (DEA) në Nju Jork. Atje ai u padit zyrtarisht për akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh, përpara se të transferohej në paraburgimin e Brooklyn-it.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të reja që tregojnë Nicolás Maduron me pranga në duar, i rrethuar nga agjentë të DEA-s dhe Hetimeve të Sigurisë Kombëtare. Në fotografitë, të shpërndara në platformën X dhe ende të paverifikuara zyrtarisht, Maduro shihet i veshur me një bluzë sportive blu të çelët, pantallona sportive blu të errëta, çorape të bardha dhe sandale sportive.
Në disa prej pamjeve, ai shfaqet i ulur në një karrige me prangat e vendosura përpara, ndërsa në një tjetër fotografi duket duke bërë shenjën e “gishtit lart”. Një imazh tjetër e tregon jashtë avionit, pak çaste pas mbërritjes në Nju Jork.
Maduro ka mohuar vazhdimisht akuzat se është i përfshirë në drejtimin e një karteli droge, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. Sipas autoriteteve amerikane, ai dhe bashkëshortja e tij pritet të dalin para një gjykatësi federal në Nju Jork, në një datë që ende nuk është bërë publike.
Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe pritet të ndikojnë ndjeshëm në situatën politike dhe diplomatike mes Venezuelës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.






