Pas një karriere të mbushur me ulje-ngritje dhe eksperienca në disa nga kampionatet më të njohura të Evropës, Mario Balotelli është shumë pranë një transferimi surprizë në Spanjë.
Sulmuesi italian, aktualisht pa klub pas eksperiencës së shkurtër te Genoa ku luajti vetëm 50 minuta gjatë sezonit të kaluar, ka marrë një ofertë konkrete nga Real Murcia, ekip që garon në Primera RFEF – Kategoria e Tretë e futbollit spanjoll.
Sipas mediave spanjolle, klubi i ka ofruar Balotellit një kontratë njëvjeçare me pagë 500 mijë euro, shifra më e lartë që Murcia ka ofruar ndonjëherë për një lojtar. Synimi i klubit është rikthimi në Segunda División sezonin e ardhshëm dhe besojnë se përvoja e 33-vjeçarit mund të bëjë diferencën.
Edhe pse oferta është e ulët për standardet e Balotellit, mungesa e alternativave dhe dëshira për t’u rikthyer në fushë e bëjnë këtë marrëveshje tërheqëse për ish-sulmuesin e Milanit, Interit dhe Manchester Cityt. Bisedimet janë në fazë të avancuar dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të jetë vetëm çështje kohe.






