Që në orët e para të mëngjesit, në Velipojë ka nisur një operacion i gjerë pastrimi pas prurjeve të shumta që sollën sasi të konsiderueshme mbetje në bregdet.
Ekipet e shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër, së bashku me tre fadroma të Ndërmarrjeve të Bashkisë, po punojnë intensivisht për pastrimin e gjithë brezit ranor. Puna pritet të vijojë deri në rikthimin e plotë të normalitetit.
Autoritetet vendore theksuan se mbetjet e sjella nga prurjet janë pasojë e ndotjes së lumenjve dhe përrenjve, duke vënë në dukje se çdo ndotje e hedhur në mjedis përfundon në natyrë dhe në zonat turistike.
Institucionet apeluan për rritje të përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit, duke kujtuar se mbrojtja e mjedisit fillon nga veprimet e përditshme të çdo qytetari. Bashkia Shkodër siguroi se do të vijojë punën deri në pastrimin e plotë të zonës.






