Tragjedia që shokoi javën e kaluar Porcarin në provincën e Luccas, ku një familje shqiptare humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni, ka ngjallur solidaritet të madh. Në vetëm dy ditë, mbi 75 mijë euro janë mbledhur përmes platformës GoFundMe për familjen Kola.
Fushata u iniciua nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave. Fondet do të përdoren për shpenzimet e funeralit dhe transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore, ndërsa pjesa tjetër do të mbështesë familjarët në këtë moment të vështirë.
Dhjetra qytetarë kanë kontribuar me donacione nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë për familjen e goditur nga kjo humbje tragjike.
Ndërkohë, Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se kaldaja, e re dhe e instaluar nga pronari i banesës, ishte shkaku i helmimit. Priten rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat do të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të rikthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit.






