7.5 C
Tiranë
Thursday, December 5, 2024
spot_img

Meloni e bindur për suksesin e marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët: “Projekti do të funksionojë”

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur vendosmërinë e saj për të realizuar me sukses marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë, pavarësisht pengesave të deritanishme nga drejtësia italiane. Në një intervistë për emisionin “Quarta Repubblica”, Meloni tha se beson fuqishëm në këtë projekt, të cilin e cilësoi si një zgjidhje inovative për menaxhimin e flukseve migratore.

Meloni: “Marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë”

“Unë nuk marr përsipër impenjime që nuk mund t’i mbaj. Projekti i Shqipërisë duhet të funksionojë dhe po punojmë që të funksionojë,” deklaroi kryeministrja, duke shtuar se kjo iniciativë po tërheq vëmendjen e shumë vendeve të Bashkimit Europian si një ndryshim radikal në politikat e emigracionit.

Meloni vuri në dukje se ishte e përgatitur për vështirësitë dhe kundërshtitë që mund të haste në këtë proces, por theksoi se është e vendosur të mos dorëzohet:
“Jam e pajisur dhe e dija që do të duhej të punoja tre herë më shumë se paraardhësit e mi, veçanërisht për emigracionin. E dija që do të kishte kundërshtime të shumta, por nuk duhet të ndalemi para këtyre pengesave.”

Pavarësisht vendosmërisë së qeverisë italiane, dy lundrimet e para të anijes *Libra*, më 15 tetor dhe 8 nëntor, për të transferuar emigrantë në qendrat pritëse të Shëngjinit dhe Gjadrit kanë dështuar. Nga 24 emigrantë të mbërritur në Shqipëri, të gjithë u rikthyen në Itali pas vendimeve të Gjykatës së Romës, e cila pezulloi qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Aktualisht, qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër qëndrojnë bosh, megjithëse autoritetet italiane, me personel të reduktuar, vazhdojnë t’i mbajnë hapur, në pritje të vendimeve të mëtejshme nga drejtësia.

Gazetari: “Po gjyqtarët nuk i lejojnë emigrantët të shkojnë atje.”

E pyetur për qëndrimin e gjyqtarëve, të cilët kanë pezulluar transferimin e emigrantëve në Shqipëri, Meloni theksoi se qeveria italiane po kërkon zgjidhje ligjore për të kapërcyer këtë pengesë. Ajo e cilësoi këtë situatë si një përplasje mes politikës dhe drejtësisë, duke lënë të kuptohet se mosmarrëveshjet mund të kalojnë edhe në nivel europian.

“Ne e dinim që kjo nuk do të ishte e lehtë, por nuk do të ndalemi,” përfundoi Meloni, duke ritheksuar vendosmërinë për të implementuar marrëveshjen me Shqipërinë dhe për të ndërtuar një model të ri për menaxhimin e flukseve migratore.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT