Vrasja tragjike e Ilaz Brahimi ka tronditur familjarët, miqtë dhe komunitetin, ndërsa mesazhet e ngushëllimit vijojnë të shtohen.
Një reagim i ndjerë ka ardhur nga Hasim Berisha, i cili ka ndarë një kujtim prekës nga biseda e fundit me të ndjerin, duke e përshkruar si një besimtar të devotshëm dhe njeri të mirë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha tregoi se Brahimi ishte nisur drejt vendlindjes për të festuar Bajramin pranë nënës së tij, një traditë që nuk e kishte thyer kurrë.
“Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e vëllait tonë Ilaz Brahimi. Ai ka qenë një besimtar i devotshëm dhe një djalë shumë i mirë. Ditën para se të nisej për në Kosovë më tha: ‘Hoxhë, çdo Bajram shkoj në Kosovë vetëm për hir të nënës’,” shkroi ai.
Hoxha kujtoi gjithashtu se kishin kaluar së bashku Natën e Kadrit në adhurim, pa e ditur se ajo do të ishte hera e fundit që takoheshin.
“Natën e Kadrit e kaluam së bashku deri në mëngjes, pastaj iku për të mos u takuar më me ne në këtë dynja. Zoti të mëshiroftë Ilaz, Allahu na bashkoftë në xhenetet e Tij,” përfundoi Berisha.
Ngjarja ka lënë pas dhimbje të madhe në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.






