Londër – Princi i Uellsit, Prince William, ka folur hapur për mënyrën se si përballet me sfidat e shëndetit mendor, duke inkurajuar njerëzit të mësojnë ta duan dhe ta kuptojnë veten.
Gjatë një paraqitjeje të papritur në një emision të mëngjesit në BBC Radio 1 më 18 shkurt, 43-vjeçari mori pjesë në një panel diskutimi mbi vetëvrasjen tek meshkujt. Në bisedë me moderatorin Greg James dhe reperin britanik Professor Green, ai theksoi nevojën për më shumë modele mashkullore që flasin hapur për emocionet dhe vështirësitë psikologjike.
Sipas tij, normalizimi i diskutimeve për ndjenjat është thelbësor për të ndihmuar ata që kalojnë momente krize.
“Duhet të marrësh kohë për të kuptuar emocionet e tua dhe arsyen pse ndihesh në një mënyrë të caktuar,” u shpreh ai, duke shtuar se krizat mendore, sado të forta të jenë, janë të përkohshme dhe kalojnë.
William tregoi se përdor një “kuti mjetesh” personale për t’u përballur me sfidat psikologjike. Ai shpjegoi se askush nuk i ka të gjitha përgjigjet dhe se gjatë jetës duhet të kërkojmë mjete të reja – përmes bisedave me miq, ndihmës profesionale apo reflektimit personal.
Angazhimi i tij kundër vetëvrasjes lidhet edhe me përvojën e mëparshme si pilot i ambulancës ajrore, ku është përballur me pasoja tragjike për familjet. Ai është gjithashtu mbështetës i organizatave që ofrojnë ndihmë për personat në krizë.
Në një dokumentar të realizuar vitin e kaluar, Princi i Uellsit u shfaq i prekur teksa bisedonte me një grua që kishte humbur bashkëshortin, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit dhe mbështetjes në momentet më të vështira.






