Presidenti i vendit Ilir Meta ka kërkuar hetim disiplinor nga KPA për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij kanë shkelur ligjin në rastin e vendimit të dhënë për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Sipas presidentit Meta, shkeljet kanë nisur që në momentin e caktimit të relatores së çështjes, për të cilën nuk është hedhur short.
Mëta thotë se caktimi i Fjona Papajorgjit si relatore e çështjes së 30 Qershorit është bërë në shkelje të ligjit.
Po ashtu Meta ka pretendime në lidhje me pyetjet që Kushetuesja i ka dërguar komisionit të Venecias, dhe pse në to nuk janë përfshirë çështjet e ngritura nga shoqata e bashkive, që ishte dhe pala ankuese për 30 Qershorin.
Sipas presidentit edhe vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, së bashku me trupën gjykuese ka shkelur procedurat ligjore për këtë çështje.
Meta pyet nëse vetë gjyqtarët kanë qenë votues në zgjedhjet e 30 Qershorit, dhe nëse po, pse nuk kanë bërë kërkesë që të hiqnin dorë nga çështja, sa kohë që kanë qenë në konflikt interesi.
“Një pyetje tjetër shumë e rëndësishme që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duhet ta zbardhë përmes një hetimi disiplinor të thelluar dhe që duhet t’i marrë shpjegimë zonjës Fiona Papajorgji dhe gjithë trupës gjyqësore kushtetuese është:
A ka marrë pjesë dhe a ka votuar zonja Fiona Papajorgji apo ndonjë anëtar tjetër i trupës gjyqësore në procesin e votimeve të 30 qershorit 2019?
Nëse po, gjyqtarët që kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në 30 qershor 2019, a kanë qenënë një situatë të papajtueshmërisë së ushtrimit të funksionit që sipas nenit 36 pika 1/b, ç, i detyronte ata që të hiqnin dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje?
Nëse një gjyqtar Kushtetues, ka shkuar dhe ka votuar në votimet e 30 qershorit 2019, si mund të ishte ai një gjyqtar objektiv, i paanshëm për të shqyrtuar atikushtetutshmërinë e këtij procesi votimesh?!”, pyet Meta KPA-në .
ANKIMI I PRESIDENTIT NË KPA:
Lënda: Përcillen të dhëna dhe prova që kërkojnë domosdoshmërisht nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (nenet 124/2, 126, 128, 179), ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, (nenet 10, 10/a, 10/b, 10/c, 10/ç, 86 pika 1); ligji nr. 84/2016 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”(neni 5, pika 3, germa “a”).
Të nderuar Anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,
Hyrje
Në mbështetje të nenit 179, pika 7, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 10, 86 pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, si dhe nenit 5, pika 3, germa “a”, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese përgjatë mandatit të tij 9-vjeçar është përcaktuar si institucioni kushtetues që ka juridiksionin dhe kompetencën e shqyrtimit të çështjeve/shkeljeve disiplinore të konsumuara prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Siç dhe jeni në dijeni, shkeljet disiplinore të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, fillimi dhe zhvillimi i procesit disiplinor janë të parashikuara nënenin 128 të Kushtetutës, nenin 10, 10/a-10/ç të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar. Për lehtësinë tuaj, në këtë kërkesësi fillim po evidentojmëpërmbajtjen e këtyre dispozitave.
Neni 128, Kushtetetuës, parashikon se:
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit.
Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur:
a) konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit;
b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje;
c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.”
Ligji nr. 8577/2000, në nenet 10 dhe 10/a, parashikon shprehimisht se :
“Neni 10
Shkeljet disiplinore
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkaqe të:
Mosparaqitjes së kërkesës për heqje dorë nga procedimi apo gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit procedural dhe gjyqtari është në dijeni të rrethanave të tilla.
Sjelljes, akteve dhe veprimeve të tjera të gjyqtarit që krijojnë përfitime të padrejta ose dëme për palët pjesëmarrëse në gjykim.
Mosnjoftimit të Kryetarit të Gjykatës ose të organeve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet apo ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë dhe subjekte të tjera.
Ndërhyrjeve ose çdo lloj ndikimi tjetër të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës të një gjyqtari tjetër.
Mosnjoftimit të Kryetarit dhe të institucioneve përgjegjëse për ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, të rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit të tij.
Mospërmbushjes së pajustifikuar e në mënyrë të qëllimshme ose të përsëritur, përkatësisht të funksionit të tij.
Paraqitjes së kërkesës për heqje dorë dhe kryerjes së atyre veprimeve që nuk bazohen në shkaqet e parashikuara në ligj ose që bëhen në mënyrë të qëllimshme për të krijuar përfitime të padrejta për palët dhe të tretët, ose kur synojnë të shmangin gjyqtarin nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes ose synojnë të krijojnë mundësinë e shqyrtimit të saj nga gjyqtarët të tjerë ose kur dorëheqja jepet e vonuar megjithëse ka qenë në dijeni të faktit për të cilin jep dorëheqjen.
Shkeljes së përsëritur ose të rëndë të rregullave të solemnitetit dhe rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, si edhe me gjyqtarë ose administratën e Gjykatës Kushtetuese.
Vonesës dhe zvarritjes së përsëritur dhe të pajustifikuar të veprimeve procedurale dhe gjatë ushtrimit të funksionit.
Bërjes publike të mendimeve që ka dhënë vetë ose gjyqtarët e tjerë gjatë procesit që akoma nuk kanë marrë formën e një akti të bërë publik.
Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, në proces apo i përfunduar, duke përfshirë lehtësinë e publikimit dhe shpërndarjes, gjithashtu edhe për shkak të neglizhencës, të akteve konfidenciale ose akteve procedurale ose informacioneve konfidenciale që rrjedhin nga çështjet të cilat janë në proces hetim ose gjykimi.
Bërjes së deklaratave publike dhe në media, për çështjet, me përjashtim të komunikimeve të shtypit brenda kufijve të detyrës së tij.
Parashtrimi të shtrembëruar të fakteve në aktet e nxjerra.
Përdorimit të mandatit të gjyqtarit, me qëllim për të realizuar përftime të pajustifikuara ose përfitime për vete ose për të tjerët.
Shoqërimit me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal, ose me persona të dënuar penalisht, përveç rasteve të rehabilitimit të personave të dënuar, ose persona të cilët janë të afërm me gjyqtarët në lidhje gjaku ose me ligj, dhe pasja e marrëdhënieve biznesi të papërshtatshme me këta persona.
Përfitimit të padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit të magjistratit.
Sjelljes së papërshtatshme në përmbushjen e detyrimeve, në marrëdhëniet dhe në komunikimin me institucionet shtetërore dhe funksionarët e tyre, dhe raste të tjera me sjellje të papërshtatshme të pajustifikuar.”
“Neni 10/a
Fillimi dhe zhvillimi i procedimit disiplinor
Kur ka të dhëna të mjaftueshme se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka kryer shkelje të parashikuara në nenin 128, të Kushtetutës, dhe në nenin 10, të këtij ligji, me kërkesë të Kryetarit ose të çdo gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari, ose gjyqtari më i vjetër në detyrë, kur subjekt i procedimit është Kryetari, merr masat për fillimin e procedimit disiplinor.
Procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të shkeljes. Procedimi disiplinor pushon nëse gjyqtari jep dorëheqjen. Në këtë rast ai nuk ka të drejtë të emërohet më në funksione publike për një periudhë 15-vjeçare.
Dy gjyqtarë të caktuar me short mbledhin fakte, prova dhe të dhëna të tjera lidhur me shkeljen që i atribuohet gjyqtarit dhe brenda 30 ditëve përgatisin relacionin përkatës dhe ia dërgojnë atë për shqyrtim Komisionit Disiplinor.
Komisioni Disiplinor përbëhet nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të caktuar me short, pa pjesëmarrjen e gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në mbledhjen e fakteve dhe provave, sipas pikës 3 të këtij neni. Komisioni merr në shqyrtim relacionin e paraqitur dhe vendos dhënien e masës disiplinore, sipas nenit 10/b, të këtij ligji, ose pushimin e çështjes për shkak se nuk provohet shkelja.
Gjyqtari, subjekt i procedimit, ka të drejtë të ushtrojë ankim ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor. Ankimi shqyrtohet nga komisioni adhoc i përbërë nga tre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, që nuk kanë marrë pjesë në procedim, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij neni.
Parashikimet e këtyre dispozitave në krahasim me rrethanat e faktit, provat e marra sipas formës së kërkuara nga ligji dhe me të cilat Presidenti i Republikës është njohur zyrtarisht së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, e që kanë lidhje me një çështje të shqyrtuar së fundmi nga kjo gjykatë, na detyrojnë që t’ju përcjellim këtë informacion të shoqëruar me prova bindëse të cilat konfirmojnë se, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se nganjë apo disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë konsumuar shkeljetë rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit, veprimtari kjo në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, e që sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës dhe nenin 10, 10/a të ligjit nr. 8577/2000, kërkojnëqënga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni, në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021,ka shqyrtuar në seancë plenare publike çështjen nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar, që i përkiste këtyre palëve: Kërkues Shoqata e Bashkive të Shqipërisë; subjekte të interesuara në këtë gjykim, Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia “Bindja Demokratike”; me objekt: 1. Konstatimi antikushtetues i zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar më 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe, si rrjedhojë, konstatimi antikushtetues i zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve; 2. Verifikimi i kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues, në përfundim me Vendimin nr. 36, datë 04.11.2021,vendosi: “Rrëzimin e kërkesës”.
Ky vendim është marrë në datën 04.11.2021, dhe është shpallur i arsyetuar në datën 02.12.2021, si dhe i është njoftuar zyrtarisht institucionit të Presidentit të Republikës, si palë e interesuar në proces, përmes shkresës së Gjykatës Kushtetuese nr. prot. 7 (S) 2019 Regj.Them., datë 2.12.2021, protokolluar pranë nesh me nr. prot. 3803/1, datë 6.12.2021.
Kjo ka qene një pjesë e hetimit që ka kërkuar presidenti.