Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një prej personaliteteve më të shquara të jurisprudencës shqiptare, avokatin Nafiz Bezhani.
Në një postim në rrjete sociale Meta shkruan se Bezhani është një shembull i rallë i rezistencës ndaj padrejtësive dhe mos përkuljes kundrejt arrogancës dhe trysnisë së pushtetit. Meta e ka vlerësuar atë për integritetin e lartë që nga lufta e Dytë Botërore, ku luftoi si partizan për çlirimin e Shqipërisë, me moskonformimin e tij me padrejtësitë dhe krimet e diktaturë.
POSTIMI I METES:
Në vlerësim të vlerave të spikatura si qytetar kurajoz në mbrojtje të shoqërisë dhe të institucioneve të lirisë e demokracisë, si dhe për kontributin e dhënë për pasurimin e kujtesës historike përmes analizës e fakteve juridike, pata kënaqësinë e veçantë të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një prej personaliteteve më të shquara të jurisprudencës shqiptare, avokatin e paharruar Nafiz Bezhani.
Shembull i rrallë i rezistencës ndaj padrejtësive dhe mos përkuljes kundrejt arrogancës dhe trysnisë së pushtetit, ai mbeti besnik i parimeve të së drejtës dhe së vërtetës, duke rrezatuar gjithmonë integritet të lartë, nga Lufta e Dytë Botërore ku luftoi si partizan për çlirimin e Shqipërisë, me moskonformimin e tij me padrejtësitë dhe krimet e diktaturës, dhe me kontributin e vyer të dhënë si Kryetar i Komisionit për Verifikimin e Figurave me transparancën e bërë për dosjet sekrete të ish-Sigurimit.
Mirënjohje të veçantë për komunitetin e mrekullueshëm patriot dhe intelektual të Fterrës, që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë, personalitete të shquara si Nafiz Bezhani.