6.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Ministria e Brendshme e Kosovës i përgjigjet Vuçiçit: Asnjë marrëveshje s’i ndalon njësitë speciale të shkojnë në veri

Asnjë dokument apo marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ia ndalon Kosovës që t’i dërgojë apo vendosë njësitet speciale të policisë së saj në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Kështu thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, pas insistimit të vazhdueshëm të zyrtarëve serbë – përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç – se Kosova nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Qëllimi i Vuçiçit është që, përmes dezinformimit, të shkaktojë konfuzion dhe pasiguri te qytetarët serbë në Kosovë. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë dokument apo dakordim për atë që thotë Vuçiç, që Njësia Speciale [e Policisë së Kosovës] nuk mund të shkojë në veri të vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nora Fetoshi, këshilltare për media e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në disa raste, autoritetet në Serbi kanë deklaruar se institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të dërgojnë forca speciale të policisë në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, por nuk kanë specifikuar se në cilin nen apo dispozitë të Marrëveshjes së Brukselit thirren.

Ngjashëm kanë pohuar edhe ditëve të fundit, kur situata e sigurisë në veri ka shkuar duke u tensionuar.

Aktualisht, në këtë pjesë të Kosovës – ku funksionojnë edhe struktura paralele të Serbisë – disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.
Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiçin më 10 dhjetor, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për shkak të situatës së tensionuar, Policia e Kosovës ka rritur praninë në këtë zonë. Autoritetet e Kosovës kanë mohuar se atje janë dërguar njësi speciale, siç kanë pretenduar disa zyrtarë serbë.

Çfarë thuhet në Marrëveshjen e Brukselit?

Në prill të vitit 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë nënshkruar atë që njihet si “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve” – e njohur në opinion si Marrëveshja e Brukselit.

Në këtë dokument thuhet se duhet të ekzistojë vetëm një forcë policore, e quajtur Policia e Kosovës, dhe se të gjithë policët në veri duhet të integrohen në Policinë e Kosovës.

Aty është një paragraf ku thotë se do të ketë një komandant rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, i cili duhet të jetë serb, shtetas i Kosovës. Atë e propozojnë katër kryetarët e komunave në veri dhe e emëron Ministria e Brendshme e Kosovës.

Në asnjë nga pikat e kësaj marrëveshjeje nuk përmendet shkuarja apo jo e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Tahiri: Policia e Kosovës vepron në gjithë territorin

Pretendimet e zyrtarëve serbë i mohon edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk ekziston asnjë marrëveshje që e ndalon Policinë e Kosovës, apo njësitet e saj të shkojnë në veri.

“Policia e Kosovës vepron në tërë territorin e Kosovës sipas Kushtetutës së shtetit dhe ligjeve të Kosovës. Nuk ekziston marrëveshje e Brukselit që e kufizon Policinë e Kosovës, përfshirë njësitet speciale. Nuk është e vërtetë çfarë thotë pala serbe, nuk ka marrëveshje të tillë”, thotë Tahiri.

Pavarësisht pretendimeve të Serbisë, edhe vetë Bashkimi Evropian ka thënë në të kaluarën se nuk ekziston ndonjë marrëveshje apo pajtim për mosdërgim të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar më 14 tetor të vitit të kaluar se nuk ekziston ndonjë marrëveshje e tillë, por ka shtuar se është praktikë e zakonshme që të ketë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare përpara dërgimit eventual të forcave speciale në veri.

Duke qenë se NATO-ja ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë organizatë nëse është në njohuri të ekzistimit të ndonjë marrëveshjeje apo dakordimi që ia ndalon Kosovës dërgimin e njësive speciale në veri, por NATO-ja nuk është përgjigjur.

Çfarë thotë Ligji për Policinë e Kosovës?

Ligji për Policinë e Kosovës e obligon këtë institucion që të kryejë detyra në të gjithë territorin e vendit.

Sipas këtij ligji, “Policia vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Mentor Vrajolli, drejt ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, nuk beson se ka “as marrëveshje të fshehtë në lidhje me këtë temë”.

“Edhe nëse do të kishte marrëveshje të tilla, ato nuk do të respektoheshin, pasi do të ishin kundërkushtetuese… Kushtetuta e Kosovës i jep juridiksion Policisë së Kosovës që të veprojë në të gjithë territorin. Policia e Kosovës nuk ka asnjë njësi që do të mund të trajtohej ndryshe nga ndonjë njësi tjetër”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

FSK-ja nuk mund të shkojë pa miratim të KFOR-it

Për dallim prej Policisë së Kosovës, shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, e kufizon një marrëveshje mes Kosovës dhe NATO-s.

FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.

Këtë marrëveshje e ka bërë publike kryeministri Albin Kurti, pas zgjedhjes në këtë pozitë në vitin 2020. Kurti e ka cilësuar këtë marrëveshje si të dëmshme dhe e ka dërguar në prokurori, por nga kjo e fundit nuk ka pasur ndonjë njoftim se si është trajtuar.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, ua ka bërë të qartë disa herë institucioneve të Kosovës se kjo marrëveshje është ende në fuqi.

Më 1 korrik 2021, gjatë një vizite në Kosovë, Stoltenberg ka thënë për REL-in se e mirëpret faktin që autoritetet e Kosovës i përmbahen marrëveshjes së arritur në vitin 2013 që “Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk duhet të vendoset në veri pa pajtim paraprak me KFOR-in, komandën e NATO-s”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse kjo marrëveshje është ende në fuqi, misioni i KFOR-it thotë se FSK-ja nuk shkon në veri pa pajtimin e tij.

“FSK-ja mund të dislokohet në pjesën veriore të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, sipas marrëveshjeve ekzistuese. Komandantit të KFOR-it nuk i është dorëzuar asnjë kërkesë për këtë”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri të Kosovës.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT