Në fjalën e mbajtur prej saj, Krifca vuri në pah edhe një herë mbështetjen e qeverisë ndaj këtij sektori, duke bërë me dije prioritetet e këtij buxheti për bujqësinë, si garantimi i sigurisë ushqimore, rritja e eksporteve, qëndrueshmëria e turizmit rural, digjitalizimi dhe inovacioni. “7.1 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen dhe investimet për zhvillimin rural ”, tha Krifca në fjalën e saj.
Gjithashtu, Ministrja informoi se rritja e eksporteve synohet të arrihet nëpërmjet nxitjes së produktivitetit, duke mbështetur dhe financuar rritjen e sipërfaqes së serave, fuqizimin e fermave të mëdha, forcimin e agropërpunimit, rritjen e mekanizimit dhe teknologjitë inovative. Sipas Krifcës, skema kombëtare e mbështetjes do të dyfishohet vitin e ardhshëm dhe do të përmbajë prodhim të qumështit, perime në serra, bimë mjekësore dhe aromatike, ferma organike.
Më tej, Ministrja shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm do vazhdojë t’i mbështesë fermerët me naftë dhe do të shtojë kulturën e ullirit. Ajo tha se eshte shumë i qartë edhe prioriteti për sigurinë ushqimore dhe se fondet na lejojnë të investojmë në kapacitete monitorimi, në përmirësimin e analizave dhe akreditime të reja laboratorike, në gjurmueshmëri dhe higjenë. Në vitin 2022, ministja tha se do të fillojë zbatimin Programi IPARD II, me një buxhet total prej 146 milionë euro. Këtu Krifca përmendi disa risi për bujqësinë siç janë mbështetja dhe prodhimi i bimëve medicinale, ulliri, peshkimi dhe përpunimi i tyre, sektor që nuk mbështetej më parë nga IPARD.