Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, pas dëgjesës që bëri para pak ditësh me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit mbi disa ndryshime të propozuara për Ligjin e Sponsorizimit dhe bastet sportive, këtë herë ka pritur në zyrën e saj, përfaqësues të Komitetit Olimpik dhe federatave të ndryshme sportive.
Përmes një postimi në facebook, ministrja thekson se vendimi për mbylljen e basteve sportive në vitin 2018 ka qenë i duhuri, por shton se në takim dëgjoi argumentet e Komitetit Olimpik mbi formalizimin e tregut digjital të basteve, sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera.
Statusi i Ministres Kushi:
Në vijim të dëgjesave që po organizojmë me komunitetin e sportit, prita sot në MAS Presidentin e KOKSH z. Fidel Ylli së bashku me përfaqësues të federatave të ndryshme sportive në vend.
Diskutuam mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave të tjerë se si mund të mbështesim federatat dhe të zhvillojmë sportin në tërësi.
Ndamë bindjen se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri dhe nuk mund të rikthehemi në situatën alarmante që këto aktivitete sollën në familjet dhe shoqërinë shqiptare.
Dëgjova argumentet e tyre mbi formalizimin e tregut digjital sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me dëgjesa të tjera.