– Pas seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), kryetarja e Partisë Lëvizja Demokratike, Monika Krymadhi, ka reaguar për mediat, duke kundërshtuar pretendimet dhe ekspertimet e SPAK-ut dhe duke paraqitur kërkesat e saj ndaj gjykatës.
Krymadhi nënvizoi se çështja e ligjit të minierave, për të cilin akuzohet ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta, nuk ka lidhje me të, duke deklaruar se propozues i ligjit ishte kryeministri Edi Rama. Ajo shtoi se dorëzoi në gjykatë dy kontrata të çështjes së lobimit, të cilat SPAK mund t’i verifikojë përmes letër-porosisë në SHBA.
“Zoti Meta nuk ka asgjë të lidhur me këtë çështje, nuk ka firmë apo mesazh në dosje. Për ligjin e minierave, propozues është zoti Rama, jo Meta. Kërkuam që gjykata të faktojë këtë,” tha Krymadhi.
Ajo gjithashtu kundërshtoi mënyrën e ekspertimit nga SPAK, duke e konsideruar të njëanshëm dhe të gabuar. “Ekspertimi është llogaritur dy herë sipas ekspertes, nëse unë e kam furnizuar makinën 100 herë, ata e kanë bërë 200 herë. Mbrojtja ime bazohet vetëm në dokumentet që posedon SPAK,” tha Krymadhi.
Kryetarja e LDK-së po ashtu u ndal te shtëpia e nënës së saj, për të cilën SPAK ka nisur hetime, duke kërkuar që prokuroria të japë prova të qarta para se të akuzojë për pastrim të produktit të veprës penale. Ajo premtoi gjithashtu se do të paraqesë mesazhet e saj me Edi Ramën, për të treguar se si u vendos kandidati për kryetar bashkie, duke përmendur Erjon Veliajn dhe Blendi Klosin.






