Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë përmes rrjetit social Truth Social, lidhur me negociatat për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake të SHBA në Iran.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë në “diskutime serioze” dhe se është bërë “përparim i madh”, duke paralajmëruar gjithsesi për veprime të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje:
“…nëse Ngushtica e Hormuzit nuk është menjëherë ‘e Hapur për Biznes’, ne do ta përfundojmë ‘qëndrimin’ tonë të këndshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha centralet e tyre të gjenerimit të energjisë elektrike, puset e naftës dhe Ishullin Kharg… Kjo do të jetë në shenjë hakmarrjeje për shumë ushtarë tanë dhe të tjerë që Irani ka masakruar dhe vrarë gjatë ‘Mbretërimit të Terrorit’ 47-vjeçar të Regjimit të Vjetër.”
Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA po përpiqet të negociojë një zgjidhje për operacionet ushtarake dhe sigurinë rajonale. Trump e përshkroi qeverinë iraniane si “një regjim të ri dhe më të arsyeshëm”, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.






