Në trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar policin Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës më 24 shtator 2023. Në një postim në Facebook, Kurti deklaroi se grupi i armatosur që kreu sulmin kishte si synim nxitjen e një konflikti dhe më pas aneksimin e veriut të Kosovës.
Kurti e cilësoi grupin përgjegjës për sulmin si një formacion paraushtarak të organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi. Sipas tij, grupi drejtohej nga Millan Radoiçiq dhe kishte si objektiv destabilizimin e situatës dhe aneksimin e veriut të Kosovës.
Kryeministri tha se ky plan dështoi falë, siç u shpreh ai, “vendosmërisë dhe profesionalizmit” të zyrtarëve të rendit dhe inteligjencës, si dhe angazhimit të institucioneve të Kosovës.
Kurti kujtoi edhe momentet e para të sulmit, duke theksuar se në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas Kurtit, Bunjaku ra “në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës”. Në nderim të tij, rruga në vendin ku ndodhi sulmi në Banjskë mban sot emrin e Afrim Bunjakut.
Kurti deklaroi se gjatë aksionit të 24 shtatorit u vranë tre persona nga grupi i armatosur, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që prej asaj dite.
Ai tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për të sjellë para drejtësisë edhe personat e tjerë që, sipas tij, ishin të përfshirë në sulm.
“Shteti ynë asnjëherë nuk do të heqë dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, shkroi Kurti.
Sulmi i Banjskës ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur u përlesh me Policinë e Kosovës. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa më pas u zhvillua një operacion i gjerë policor në zonën përreth Manastirit të Banjskës.
Në mesazhin e tij, Kurti tha se sulmi shkaktoi dëme dhe vuajtje, por këmbënguli se institucionet e Kosovës arritën të parandalonin atë që ai e përshkruan si synim për destabilizimin dhe aneksimin e veriut.
“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, deklaroi kryeministri.





