Moderatorja Neada Muçaj ka dhënë versionin e saj për largimin nga Top Channel dhe bujën që u krijua për një supozuar konflikt me kolegen Enxhi Nasufi në emisionin “Wake Up”. E ftuar në “X-Press”, Muçaj theksoi se shumë gjëra nuk janë sqaruar publikisht dhe mënyra si u zhvillua situata nuk ishte e drejtë:
“Duke marrë parasysh të gjithë situatën, mënyrën se si ndodhën gjërat, unë mendoj që nuk është një formë për ta shkëputur një njeri apo për ta hequr nga gjërat që ai do, sepse shumë gjëra nuk janë folur dhe nuk janë sqaruar.”
Ajo mohoi kategorikisht përplasjen fizike dhe theksoi se nuk është natyrë konfliktuale:
“Nuk ka diçka të vërtetë pas atyre titujve, unë nuk jam një njeri që konfliktohem në vendin e punës… Ishte surprizë për mua, të them të drejtën.”
Muçaj pranoi se kishte pasur një tension të vogël me Enxhi-n gjatë një shkëputjeje publicitare, por nënvizoi se lajmet për një sherr fizik u ekzagjeruan qëllimisht për të krijuar zhurmë mediatike:
“Nuk ka pasur një sherr fizik, por është e vetmja formë që ti të bësh zhurmë dhe, për sa kohë zhurma shet, bujrum, jepi, jepi gaz.”
Moderatorja sugjeroi gjithashtu se buja u përdor si mundësi për të qenë pjesë e një formati shumë të ndjekur, të cilin nuk e përmendi me emër, por konteksti lë të kuptohet se bëhet fjalë për Big Brother VIP Albania.
Edhe Enxhi Nasufi, në intervista të mëvonshme, ka mohuar lajmet, duke i cilësuar si ekzagjerime dhe një nga kostot e të qenit figurë publike.






