Gazetari nga Kosova, Labinot Nimani, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku përmes një lidhjeje Skype ka dhënë detaje rreth arrestimit të këngëtarit Gjesti dhe situatës në zyrat e ish-bashkëpunëtorit të tij.
Duke folur për ndikimin e daljes nga “Big Brother VIP”, Nimani tha:
“Me sa kemi parë, Gjesti e kuptoi që pas daljes nga ‘Big Brother’ u bë një superstar dhe reputacioni i tij shënoi shumë ngritje. Superstar nuk do të thoja se ka qenë sepse unë të paktën personalisht nuk e kam parë emrin e tij nëpër koncerte para ‘Big Brother’.”
Gazetari shtoi se fama e tij më shumë erdhi pas daljes nga reality show-i, ndërsa më herët nuk ishte ndër artistët që prenotoheshin për koncerte:
“Pas daljes nga ‘Big Brother’ mendoj se i ka hipur pak vetja në qejf. Dhe duke kuptuar vlerën që ai arriti si artist, normalisht që ka dashur të shfrytëzojë momentin.”
Ai gjithashtu theksoi se gjestet e Gjestit për të shkëputur kontratën nga ish-menaxhmenti nuk janë të pazakonta, duke e lidhur me lirinë e artistëve për të vendosur për karrierën e tyre.






