Tre ditë pas vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka vënë në pranga autorin Thoma Mastora, 69 vjeç.
69-vjeçari ka qenë në banesën e çiftit duke pirë kafe dhe më pas i ka vrarë duke i qëlluar me sende të forta.
Sipas uniformave blu, shkak për vrasjen është bërë një konflikt i çastit që ka përshkallëzuar deri në përdorimin e sendeve të forta. Pasi i vrau më 2 maj, Thoma Mastora u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë çiftin Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 e 84 vjeç, të vdekur në banesë.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, në një deklaratë për mediat, zbuloi detaje nga ngjarja e rëndë, ndërsa përjashtoi pistën e vjedhjes në banesë. Ai theksoi se dy viktimave iu konstatuan shenja dhune me sende të forta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. “Nga këqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat”, tha Çipa në një deklaratë për mediat.
Arsyet se çfarë çuan në konfliktin e çastit ende nuk dihen. Ndonëse policia e përjashton zyrtarisht pistën e vjedhjes, çiftit të të moshuarve iu është gjetur në banesë 5 milionë lekë të reja, ndërsa autori rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Thoma Mastora, i njohur si person problematik në zonë, është trajtuar 3 herë në spitalin psikiatrik në Vlorë. 69-vjeçari është nga Portëza e Fierit dhe i martuar në fshatin Bodrishtë në maj të vitit 1989. Ai ka udhëtuar në Greqi me gruan dhe për të përfituar dokumente greke, ai ka marrë mbiemrin e bashkëshortes Mastora.
Ndaj tij rëndon akuza penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur një sasi municioni luftarak, si edhe mjeti me të cilin ka vrarë të moshuarit.
Policia për zbardhjen e ngjarjes ka shoqëruar dhe pyetur 35 persona, ndërsa alarmi që ngriti motra e Kloeniqi Ilia zbuloi ngjarjen e rëndë. Ajo nuk kishte mundur të lidhej në telefon me të motrën dhe kishte njoftuar fqinjën, ndërsa kjo e fundit e gjeti çiftin të vdekur në banesë.