Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Bilçë të Beratit, ku një 41-vjeçare, Shpresa K., ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur viktima kontaktoi vëllain dhe i tha “nuk mundem më vëlla, amanet fëmijët”.
Vëllai, i alarmuar nga kjo bisedë, ka shkuar menjëherë në banesën e motrës, ku e ka gjetur në gjendje kritike. Ajo është dërguar për shkak të rëndësisë së gjendjes në Spitalin Rajonal Berat dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku fatkeqësisht ka humbur jetën 15 minuta pas mbërritjes.
Policia po heton shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa ende nuk është zbuluar arsyeja e vetëhelmimit të nënës së dy fëmijëve. Burime brenda familjes thonë se ajo kishte pirë 3 kokrra fostoksinë pas një debati në telefon me bashkëshortin, i cili jeton në Greqi.
Megjithatë, ende nuk dihet shkaku i vërtetë i kësaj vetëvrasjeje, dhe në lajmërinë për vdekjen e saj nuk përmendet emri i bashkëshortit, vetëm emrat e prindërve, vëllait dhe fëmijëve. Familja pohon se 41-vjeçarja kishte kërkuar që të varroset pranë familjes së saj në fshatin Banaj.