12.5 C
Tiranë
Friday, November 29, 2024
spot_img

OKB/Rusia ka hedhur mbi 1100 raketa në Ukrainë që nga fillimi i luftës,dhe mbi 900 civilë janë vrarë

Sulmet ajrore intensive ruse po e kthejnë Mariupolin e rrethuar në “hirin e një toke të vdekur”, tha këshilli i qytetit të martën, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po planifikonin sanksione të mëtejshme për të ndëshkuar Moskën për sulmin e saj në Ukrainë.

Luftimet në rrugë dhe bombardimet u ndezën në Mariupol, thanë zyrtarët ukrainas, një ditë pasi qyteti hodhi poshtë një ultimatum nga Rusia për t’u dorëzuar. Qindra mijëra persona besohet se janë të bllokuar brenda ndërtesave, pa qasje tek ushqimet, uji, energjia apo ngrohja. Forcat ruse dhe njësitë separatiste të mbështetura nga Rusia kishin marrë rreth gjysmën e qytetit port, që ka normalisht rreth 400 mijë banorë, tha agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar një udhëheqës separatist.

Luftimet në rrugë po zhvilloheshin brenda qytetit dhe si civilët ashtu edhe trupat ukrainase po vendoseshin nën zjarrin e forcave ruse, tha guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko.

“Nuk ka mbetur asgjë atje”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një fjalim videofonik në parlamentin e Italisë.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov tha për kanalin CNN se qyteti ishte nën një bllokadë të plotë dhe nuk kishte marrë asnjë ndihmë humanitare. “Qyteti gjendet nën bombardime të vazhdueshme, nga 50 deri në 100 bomba që avionët rus lëshojnë çdo ditë… Shumë vdekje, shumë të qara, shumë krime të tmerrshme lufte”, tha zoti Orlov.

Mariupoli është bërë fokusi i luftës që shpërtheu më 24 shkurt kur presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupat e tij përtej kufirit në atë që ai e quan një “operacion ushtarak special” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për të zëvendësuar udhëheqjen e saj properëndimore.

Qyteti shtrihet në Detin Azov dhe kapja e tij do t’i lejonte Rusisë të lidhë zonat në lindje të mbajtura nga separatistët pro-rusë me gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.

Ofensiva 27-ditore e Presidentit rus Putin në Ukrainë ka detyruar më shumë se 3.5 milionë të ikin, ka sjellë izolimin e paprecedentë të ekonomisë ruse dhe ka ngritur frikën e një konflikti më të gjerë në Perëndim, i pamenduar prej dekadash.

Vendet perëndimore planifikojnë të ngrenë më shumë presion ekonomik ndaj Kremlinit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, së bashku me aleatët, do të vendosin sanksione shtesë dhe do të forcojnë ato ekzistuese gjatë udhëtimit të tij në Evropë këtë javë, tha të martën këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Udhëtimi do të përfshijë gjithashtu një njoftim për veprime të përbashkëta për të rritur sigurinë energjetike në Evropë, e cila është shumë e varur nga gazi rus dhe Presidenti Biden do të tregojë solidaritet me fqinjin e Ukrainës, Poloninë, duke bërë një vizitë në Varshavë.

Pasi nuk arriti të pushtojë kryeqytetin Kiev ose ndonjë qytet tjetër të madh me një ofensivë të shpejtë, Rusia po zhvillon një luftë shkatërruese që ka shndërruar disa zona urbane në gërmadha dhe ka shkaktuar shqetësimin perëndimor se konflikti mund të përshkallëzohet, madje edhe në një luftë bërthamore. Politika e sigurisë e Rusisë dikton që vendi do të përdorte armë të tilla vetëm nëse vetë ekzistenca e tij kërcënohej, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të martën për kanalin CNN.

“Nëse është një kërcënim ekzistencial për vendin tonë, atëherë ai (arsenali bërthamor) mund të përdoret në përputhje me konceptin tonë”, tha ai. Më herët ai tha se “askush” nuk e kishte menduar ndonjëherë se operacioni në Ukrainë do të zgjaste vetëm disa ditë dhe fushata po shkon sipas planit, njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

Forcat ukrainase rimorën nën kontroll një zonë periferike të Kievit

Ukraina njoftoi më herët të martën se kishin rimarrë nën kontroll një lagje periferike të Kievit, ndërsa forcat ruse po shtrëngonin rrethimin e kryeqytetit. Shpërthime, të shtëna dhe një shtëllungë e madhe tymi i zi u pa në rajonet veriore të Kievit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, forcat ruse u detyruan të tërhiqen nga qyteza Mkariv, gjë që u krijoi mundësi forcave ukrainase të rimarrin kontrollin e një rruge të rëndësishme dhe të mos lejojnë rrethimin e Kievit nga veri-perëndimi.

Por sipas ministrisë, forcat ruse në afërsi të Kievit, kanë marrë pjesërisht nën kontroll disa lagje të tjera në veri-perëndim si Bucha, Hostomel dhe Irpin, zona që kanë qënë nën sulmin rus që kur filloi agresioni gati një muaj më parë. Forcat ruse kanë intensifikuar rrethimin e Mariuploit, në jug të Ukrainës, pasi forcat që mbrojnë qytetin, nuk pranuan të dorëzohen. Qytetarë që arrijnë të largohen përshkruajnë skena bombardimesh të vazhdueshme, me trupa viktimash të shumta të shtrira nëpër rrugë.

Por ofensiva e Kremlinit në pjesë të tjera të vendit po ecën shumë ngadalë, ose ka ngecur, për shkak të qëndresës së ukrainasve. Deri tani rreth 10 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre, një shifër e barabartë me popullsinë e gjithë Portugalisë, ose një e katërta e popullsisë së Ukrainës.

Sipas OKB-së, janë konfirmuar mbi 900 viktima civile, ndonëse shifra mendohet të jetë shumë më e lartë. Vlerësimet për humbjet e forcave ruse janë të paqarta, por edhe vlerësimet më konservatore i çojnë humbjet në disa mijëra. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha në kushte anonimiteti se Rusia i ka shtuar inkursionet nga ajri gjatë dy ditëve të fundit, në rreth 300 në 24 orë dhe ka hedhur mbi 1100 raketa në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Presidenti Biden tha se “Putini gjithnjë e më shumë po e gjen veten në një pozitë pa rrugëdalje”. “Ai nuk e kishte pritur këtë unitet të komunitetit ndërkombëtar dhe sa më shumë e gjen veten pa rrugëdalje, aq më të ashpra pritet të jenë taktikat që do të përdorë”, tha zoti Biden. Presidenti përsëriti akuzën se Putini është duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit të armëve kimike.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT