Policia e Korçës ka intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit “Loja e fundit”, duke goditur dy raste të tjera të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në qytet.
Si rezultat i veprimeve operacionale, është arrestuar në flagrancë shtetasi M. P., 43 vjeç, banues në Korçë, i akuzuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Po ashtu, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për dy shtetas të tjerë, G. A. dhe Gj. M., të dy banues në Korçë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në lagjen nr. 8, në pronësi të 43-vjeçarit, si edhe në një tjetër ambient në lagjen nr. 9, shërbimet e policisë konstatuan faqe aktive për baste sportive në celularët e personave të përfshirë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 aparate celularë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Korçë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo forme të lojërave të fatit të paligjshme.






