Partia Socialiste ka nisur një fazë të re riorganizimi dhe konsolidimi të strukturave të saj në kryeqytet. Në kuadër të këtij procesi, u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Njësisë Administrative nr. 2, ku u prezantua ekipi drejtues i njësisë.
Drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu, prezantoi ekipin që përbëhet nga Delina Ibrahimaj, Genti Gazheli, Olta Manjani, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, si përforcim nga drejtuesit e qarqeve.
“Organizim i ri i ndarë në 34 blloqe, pa humbur lidhjen administrative të njësive, duke i mbështetur me kapacitetet më të mira që ka PS. Çdo bllok do të ketë drejtues politik të caktuar, dhe për Njësinë 2 kemi vendosur vëmendje të shtuar,” tha Manastirliu.
Ajo theksoi se qëllimi i këtij riorganizimi nuk është të shtohen udhëheqës politikë, por të jepen zgjidhje konkrete dhe të jepen më pranë qytetarëve. Blloku i parë do të drejtohet nga ministrja e Ekonomisë, ndërsa blloku i dytë nga Olta Manjani dhe Genti Gazheli, duke shfrytëzuar eksperiencën e tyre në strukturat e PS-së.
Ky riorganizim synon të forcojë lidhjen me komunitetin dhe të përmirësojë koordinimin politik në nivel lokal, duke e kthyer Njësinë 2 në një model për strukturat e tjera të kryeqytetit.






