Pas pesë vitesh larg medias dhe rrjeteve sociale, Renato Mekolli, i njohur si shefi i “Hell’s Kitchen Albania”, rikthehet në skenë duke dhënë një rrëfim të fuqishëm nga Miami, ku punon si chef në hotelin luksoz The Ritz-Carlton.
Në një deklaratë të gjatë publike, Mekolli rrëfen se largimi nga Shqipëria nuk ishte zgjedhje, por një domosdoshmëri për të shpëtuar jetën. Ai tregon për kërcënime nga segmentë të politikës dhe rrethana të rënda që e çuan në një periudhë të errët të jetës.
“U largova për të shpëtuar veten. Jeta ime u kërcënua nga segmente të politikës shqiptare dhe nga rrethana të tjera të rënda. Përjetova skllavërinë moderne dhe mësova çfarë do të thotë të jetosh në një demokraci që është më keq se komunizmi që kanë përjetuar prindërit apo gjyshërit tanë. Jeta ime u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht… Në fund, zgjodha jetën”, shprehet Mekolli, duke dërguar një mesazh fuqizues për të gjithë.
Sot, ai gjen një realitet tjetër në Miami, ku sipas tij puna shpërblehet dhe talenti vlerësohet. “Jam këtu, në vendin ku Chef-i trajtohet si artist, si superstar, dhe ku ëndrrat guxojnë të bëhen realitet nëse punon fort dhe me shpirt”, thekson ai.
Renato njofton gjithashtu se në fund të vitit 2026 do të publikohet autobiografia e tij në tregun amerikan, një libër që do të zbulojë edhe anët e errëta të përvojës së tij në Shqipëri dhe rrugëtimin drejt një “jete të dytë”.






